Tërmet i fortë në veri të Italisë, pa viktima
Një tërmet i fortë ka goditur dje veriun e Italisë që nga Firence në Trieste. Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë zona nga Parma në Reggio Emilia me një magnitudë 5.2 ballë. Sipas agjencisë ANSA, lëkundjet janë regjistruar në Institutin Nacional të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në orën 16:25 pasditen e djeshme. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka nisur menjëherë verifikimet për dëme në njerëz apo dëme fizike, por nuk ka rezultuar ndonjë i tillë. Lëkundjet e forta janë ndjerë në Milano, Xhenova, Bolonja, Venecia, Trieste e Firence. Deri tani nuk janë raportuar të plagosur. Janë regjistruar telefonata të shumta te qendrat e informacionit civil dhe te zjarrfikësit. Lëkundja e parë është pasuar me lëkundje të tjera pothuajse në të gjithë zonën veriore të Italisë. Shumë njerëz kanë dalë të trembur në rrugë, ndërsa presin informacione se sa i sigurt është për ta qëndrimi në shtëpi. Mbrojtja civile italiane ka ngritur unitetin emergjent të forcës për raste krizash. Kryetari i këtij uniteti, Guido Bertolaso ka deklaruar për Tgcom se, "nuk janë sinjalizuar gjendje kritike dhe as situata ku janë përfshirë qytetarët".