Fëmijët i vënë flakën materialeve të pemës së Vitit të Ri në Tiranë
TIRANE - Zjarri përfshiu dje qendrën e kryeqytetit kur disa blloqe polisteroli dhe plasmanësh u dogjën, ndërkohë që ishin grumbulluar nga një grup piktorësh kuratorësh dhe artistësh, që po punonin për ngritjen e pemës së Vitit të Ri. Për fat të mirë nga flakët kanë shpëtuar një sasi e konsiderueshme me goma makinash, që ishin vendosur aty për të ndërtuar piramidën e pemës së Vitit të Ri. Zjarri sipas burimeve të policisë dyshohet se ka qenë i qëllimshëm dhe mund të jetë vënë nga disa fëmijë, të cilët janë parë të lëviznin në vendin e ngjarjes. Punonjës të policisë në vendin e ngjarjes, kanë pohuar se bashkia dhe policia bashkiake nuk kishin marrë më parë masa për ruajtjen e objektit që po ndërtohej. Gjithashtu, blutë e kryeqytetit nuk ishin informuar për të garantuar sigurinë gjatë punës për zbukurimet festive në qendër të Tiranës. Zjarri ka djegur tërësisht disa blloqe me polisterol që ishin vendosur në skela, duke shkaktuar tym dhe flakë të madhe në qendër të kryeqytetit. Kjo ka shkaktuar jo pak panik pasi zjarri ndodhej vetëm disa metra larg disa prej institucioneve të rëndësishme qendrore dhe vendore. Zjarrfikësit dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shuar zjarrin, që kishte përfshirë materialet në shesh. Pas shuarjes së flakëve, artistët e Akademisë së Arteve të pyetur nga policia kanë ngurruar të tregonin cilët ishin dhe me çfarë merreshin. Gjithsesi pas ngjarjes, policia bashkiake është kujtuar të vërë një shirit rrethues në zonë si dhe të marrë masat e sigurisë aty. Kjo pas urdhrit të policisë së kryeqytetit, që ka kërkuar sigurimin e vendit ku po punohej. d.b