E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, plumba kundër autobusit të policëve, dyshime për armë ushtrie

 

Mijëra të rinj kanë marshuar në rrugët e Athinës gjatë ditës së martë disa orë, pasi një anarkist qëlloi me armë kundër një autobusi policësh, në javën e tretë të protestave antiqeveritare, që nisën kur policia vrau një adoleshent. Sipas policisë, një njeri i armatosur i paidentifikuar qëlloi kundër një autobusi që po transportonte 19 policë kur ndaloi në semaforin e ndodhur në rrugën para një universiteti në Athinën lindore rreth orës 5 të mëngjesit. Autobusi u prek nga dy plumba, një prej të cilëve dogji një gomë, por askush nuk u plagos në incident. Një zyrtar policie i mbetur në anonimitet tha se ai besonte se plumbat kishin ardhur nga universiteti dhe se arma me të cilën ishte goditur ishte një armë ushtrie. Autoritetet po hetojnë mbi incidentin, i cili ka pasuar dy ditë me protesta të qeta. Policëve u është e ndaluar me ligj që të hyjnë në territorin e një universiteti pa pasur leje të posaçme. Universitetet tashmë janë kthyer në epiqendrën e trazirave, që kanë shkaktuar qindra miliona euro dëme për bizneset në kryeqytetin grek. Rreth 3 mijë anarkistë e studentë, përfshirë dhjetëra që kanë "pushtuar" shkollën e drejtësisë në Athinë, kanë marshuar në qendër të kryeqytetit duke bërtitur "Policët, derra, vrasës". Ata dogjën portretin e një derri të veshur me kasketë policie jashtë parlamentit. Veprimi fatal i një polici, i cili qëlloi kundër një adoleshenti duke i marrë jetën më 6 dhjetor, ka përhapur një valë të gjerë trazirash në Greqi dhe ka evidentuar pakënaqësi të tjera të mëdha sociale nga qeveria, si papunësia e të rinjve, skandale qeveritare, reforma të krahut të djathtë dhe ngadalësim ekonomik për shkak të krizës globale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›