Thaçi e Bodganoviç përplasen për gjashtëpikëshin e EULEX
Prishtina dhe Beogradi kanë vendosur të mbrojnë deri në fund qëndrimet e kundërta rreth planit të Ban Ki Mun, ku zyrtarët e fundit që janë "përplasur" për gjashtë pikat ishin kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bodganoviç.
Debati është thelluar pasi një delegacion nga Serbia ka hyrë "me leje" në territorin e Kosovës dhe ka premtuar për komunat serbe zbatimin e përpiktë të planit me gjashtë pika të miratuar nga Këshilli i Sigurimit, por të kundërshtuar me vendosmëri nga autoritetet e Prishtinës. Ministri serb për Kosovën, Goran Bodganoviç, gjatë një vizite në Kosovë tha se Beogradi nuk do të heqë dorë nga realizimi i planit gjashtëpikësh të OKB-së. Në plan thuhet se zonat e banuara me serbë do të gëzojnë një autonomi më të madhe në fushën e policisë, gjyqësisë, doganave, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, kufijve si dhe transportit e infrastrukturës. "Ne kemi biseduar me OKB-në rreth 6 pikave dhe do të vazhdojmë të punojmë me UNMIK-un dhe EULEX-in rreth zbatimit të tyre. Mendoj se kjo në thelb është shumë e rëndësishme për qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe për kthimin e atyre që janë larguar në vitin 1999", tha Bogdanoviç. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se dokumentet e vetme që do të zbatohen në Kosovë, janë Kushtetuta e vendit dhe dokumenti i presidentit Ahtisari. "Në raportin e Këshillit të Sigurimit është i përfshirë edhe 6-pikëshi serb, edhe 4-pikëshi kosovar. Ai dokument nuk është obligativ, ndërsa në deklaratën presidenciale ka një mesazh të vullnetit të mirë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të respektojnë vetëm Kushtetutën e vendit dhe planin e Ahtisarit", tha Thaçi. Nga ana tjetër, Bogdanoviç shprehet se zbatimi i planit gjashtëpikësh është shumë i rëndësishëm për realizimin e të drejtave të serbëve. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos serbët, të cilët janë komuniteti më i shkelur në Kosovë, të lëvizin lirshëm, të mbrohen në mënyrë të drejtë, që objektet e tyre të kultit dhe fetare të jenë të mbrojtura mirë, që të mund të lëvizim lirshëm me targa të Serbisë që kanë qenë të vlefshme deri në vitin 1999", tha ministri serb. Por sipas Thaçit, përpjekjet e Serbisë për të zbatuar planin gjashtëpikësh të OKB-së janë vetëm një tendencë për ta kthyer procesin prapa. Thaçi ka shtuar se të gjitha strukturat paralele në Kosovë do të përballen me ligjin e Kosovës. "Do të bisedojmë me të gjithë njerëzit legjitimë, dhe kurrë assesi me njerëzit që shkelin ligjin. Ata do të kenë ballafaqim me ligjin", tha kryeministri i Kosovës.