Riza: Shtëpitë rrezikojnë kategorinë
Gjirokastër- Ndërtesat muzeale të Gjirokastrës, në faza të rënda shkatërrimi, rrezikojnë të ndryshojnë kategorinë. Specialistët e monumenteve kanë parë nga afër zhvillimet e fundit në pjesën historike të qytetit dhe në veçanti disa banesa mbi 100-vjeçare, të cilat paraqisnin rrezik për banorët e shtëpive afër tyre. Rasti më flagrant ishte shtëpia e Koloit, ku rreth 60% e saj rrënua, ndërsa kanë ngelur vetëm themelet. Ekspertë të Institutit të Monumenteve të Kulturës pas një inspektimi të detajuar në një sërë objektesh, ka dalë në përfundimin se hartimi i një paketë masash emergjente restauruese në ndërtesat që rrezikojnë, do të ishte zgjidhje e qëndrueshme. Për autorin e dosjes së pranimit të Gjirokastrës në UNESCO, Emin Riza, ndërhyrjet në mjaft objekte të cilësuara si monumente kulture, janë emergjente. "Po i shikojmë monumentet, për të cilat pretendohet se ka rrezik shembjeje, njëra pas tjetrës dhe do të paraqesim raportin tonë teknik, megjithëse Drejtoria e Monumenteve këtu, ka hartuar që para dy vjetësh një plan 5-vjeçar, në të cilin renditen përparësitë në lidhje me ndërhyrjet eventuale restauruese në monumentet sipas gjendjes së tyre të rrezikshmërisë dhe sipas lagjeve. Ka banesa, që për shkak të degradimit mund t'u ndryshojë kategoria, por duke qenë pjesë e qendrës historike, ato duhen rindërtuar pjesërisht, si një rast madhor, sepse përndryshe cenojnë njësinë e ansambleve historike", tha Riza, i cili ka shtuar se fatmirësisht nuk ka asnjë banesë të shembur deri në themel. "Besoj do të gjenden mundësitë, që të ketë një ndërhyrje emergjente, së pari për të larguar rrezikshmërinë e shembjes, për konsolidimin e gjendjes, restaurimin apo shkatërrimin e pjesshëm natyrisht si premisë për rindërtimin siç ka qenë-ka theksuar Riza. Në Gjirokastër ekzistojnë 24 banesa, që etiketohen me statusin "Monument Kulture", tri prej të cilave të kategorisë së parë, që kanë nevojë për ndërhyrje, në mënyrë që të mos cenohet njësia e ansamblit të Qendrës Historike të Gjirokastrës.