E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betejat e medha fushata per 4 bashkite

Në kuadër të aktiviteteve elektorale kandidati i Aleancës për Qytetarin për drejtimin e bashkisë së Korçes Andrea Mano i pranishëm në Universadën Kombëtare të Sporteve ka premtuar krijimin e më shumë ambjenteve sportive me kushte optimale në katër vitet e ardhshme.

“Me dhjetra e dhjetra breza basketbollistësh dhe volejbollistësh kanë dalë dhe më bëhet qejfi që në shkallët e këtij pallati shoh me qindra studentë të cilët e kanë rikthyer këtë traditë të mrekullueshme” tha Mano.

Ndërsa kreu aktual i bashkisë së korcës Niko Peleshi ka prezantuar programin e tij social për katër vitet e ardhëshme në prani të shoqatave të shoqërisë civile Niko Peleshi.

“Kemi ndërtuar shërbime konrete për të moshuarit. Janë hapur tre qendra komunitare të cilat do të shtohen në të ardhmen me qëllimin që në çdo lagje të qytetit të kemi një qendër komunitare” tha Peleshi.

*******
Kandidati i Aleancës për Qytetarin për kreun e bashkisë së Vlorës Ardi Kollozi në një takim me komunitetin e biznesit ka theksuar se reformat fiskale  kanë sjell një rritje ekonomike në masën 5.5%.

“Përgjysmimi i taksave, ulja e barrës fiskale, reduktimi i procedurave burokratike, krijimi i një sporteli të vetëm one stop shop-i, heqja e liçencave të tëpërta ishin reforma që dhanë efekte të menjëhershme” tha Kollozi.

Ndërsa rivali Shpëtim Gjika në takimin me banorët e lagjes pranë fushës së aviacionit ka premtuar investime në zonat informale.

“Jam në një zonë me banorë të Vlorës, banorë të integruar plotësisht në jetën sociale dhe që sigurisht që për t’u integruar edhe më shumë kanë nevojë edhe për përmirësime të infrastrukturës” tha Gjika.

*******
Hapjen e 450 vendeve të reja pune për rininë ka premtuar kandidati i Aleancës për Qytetarin për drejtimin e bashkisë së Kuksit, Hasan Halili në takimin me të rinjtë e qytetit.

“Hapësirat që i ka krijuar Partia Demokratike pushtetit lokal dhe politikat që do të ndjekim ne si pushtet lokal për të punësuar të rinjtë do jetë një politikë shumë e hapur, politikë e dritës jeshile për rininë kuksiane” tha Halili.

Ndërsa kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Alfred Cengu, u ka premtuar të rinjve bashkëqeverisje, krijim të kushteve normale për arsimim, bursa studimi, hapjen e qendrave të internetit falas etj.

“Një vend të rëndësishëm do të zënë projektet për rininë. Kuksit t’i kthehen vlerat reale që meriton që rinia të mos ndihet e braktisur dhe e mashtruar nga pushtetarët aktualë” tha Cengu.

Kreu aktual i bashkisë Halili u  shpreh se vitin e ardhshëm akademik synohet hapja e  degëve të reja në Filialin e Universitetit të Tiranës në Kukës.

*******
Partia e Bashkimit Liberal Demokrat dhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat çelën zyrtarisht fushatën elektorale në Durrës duke  mbështetur  kandidatin Ferdinand Xhaferaj.

“Detyra jonë është që me përpjekjet tona të përbashkëta të dimë të vëmë më mirë në shërbim të qytetarëve durrsakë burimet që ka vendi ynë”- tha Xhaferraj.

Kandidati tjetër për kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka prezantuar projektet për infrastrukturën në shkozet.

“Unë u premtoj qytetarëve të Durrësit që 4 vitet që vijnë do jenë më mira për ta. Do të bëjmë më shumë investime për ta. Për t’ia rritur vlerën qytetit”-tha Dako.

J.Gjançi&F.Llanaj&F.Tota  
Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 20 prill 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›