E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet ne fushate PS-PD akuzojne njera-tjetren

Përplasja mes militantëve dhe dhuna në fushatë është dënuar ashpër nga PD dhe PS. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi thotë se dhuna në tubimet elektorale është prodhim i gjuhës së ashpër dhe pa etikë të përdorur në parlament, ndërsa deputeti demokrat, Dashnor Sula pohon se ky është një skenar i mirëfilltë i socialistëve i akumuluar që prej ngjarjeve të 21 janarit.

“Mendoj se gjithë kjo situatë konfliktuale është rrjedhojë e asaj klime të acarruar politike që ne kemi parë gjatë këtyre 20 viteve, por sidomos në 2-vjeçarin e fundit, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Të një krize politike që nuk u zgjidh, por edhe të retorikës shumë të ashpër që ne u kemi transmetuar shqiptarëve nëpërmjet ekraneve televizive. Ato seancat e turpshme parlamentare, ku opozita, dhe unë pjesë e saj, jemi përballur me sharje, shpifje dhe nuk jemi parë si pjesëtarë të një shoqërie demokratike”- tha deputetja e PS-së, Vasilika Hysi.

“Zoti Rama 21 janarin nuk e ka bërë kundër qeverisë, në mënyrë absolute. Ajo nuk ishte një demonstratë ndaj qeverisë por kishte më shumë karakter personal, duke ditur që zoti Basha ishte përfolur për të qenë kandidat për bashkinë e Tiranës dhe plotrësisht për interesa personale. Për t’i dhënë një ngarkesë zotit Basha përgatiti atë lloj hakmarrje personale ndaj tij”- tha Dashnor Sula, deputet i PD-së.

Dy javë nga çelja zyrtare e fushatës, bilanci i të plagosurve dhe dhunës së përdorur është i lartë. Deri tani ka qenë vetëm lideri i PD-së, Sali Berisha i cili u ka bërë thirrje partive politike por edhe qytetarëve të zhvillojnë një fushatë të civilizuar, ndërkohë që nga kampi socialist, Edi Rama nuk ka bërë asnjë deklaratë që t’u bëjë apel militantëve për të ulur tensionet.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›