E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Betejë donkishoteske e opozitës kundër Rrugës së Kombit dhe asaj të Arbërit”

24-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron në qarkun e Dibrës 6 investime publike me vlerë 1 miliardë lekë  


Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një tur në qarkun e Dibrës, ku mori pjesë në inaugurimin e 6 investimeve publike me vlerë totale 1 miliard lekë. Këtë vizitë, kryeministri e nisi me inaugurimin e rrugës Ura e Qytetit - Zerqan, një investim me vlerë 137 milion lekë, gjatësi 6.5 km dhe gjerësi 4.5 m, nga ndërtimi i të cilës përftojnë 6000 banorë, si dhe të gjitha fshatrat e Komunës  Zerqan. Ky segment rrugor fillon nga rruga nacionale Peshkopi - Tiranë dhe përfundon në qendër të komunës Zerqan dhe shërben për transportin e  produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregjeve të zonës edhe për transportin e materialeve inerte dhe lëndës drusore drejt qytetit të Bulqizës. Gjatë takimit me banorët e zonës kryeministri i përgëzoi ata për rrugën të cilën, siç u shpreh ai, e meritonin plotësisht si dhe theksoi se me përfundimin e rrugës së Arbërit, kjo zonë do të gjallërohet dhe do të arrihet më lehtësisht. Ai i shprehu atyre mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin. Loti i i-rë Maqellare - Grezhdan i rrugës Maqellarë - Peshkopi, ishte një tjetër investim i inauguruar nga kryeministri Berisha. Ky aks rrugor me vlerë  60 milionë lekë, gjatësi 4.3 km dhe gjerësi 9 m, do të shërbejë për lidhjen e banorëve të rrethit Dibër me Rrugën e Arbërit dhe mund të konsiderohet pjesë integrale e kësaj vepre të rëndësishme. Më pas kryeministri Berisha ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të segmentit  Rrugë Nacionale - Kovashicë, një investim me vlerë 18.5 milion lekë. Fshati Kovashicë  është fshati i 6-të i kësaj komune, që lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugën nacionale. Në komunën Kastriot u inaugurua edhe përfundimi i punimeve për sistemimin e asfaltimit të rrugës së fshatit Kandërr, një investim me vlerë 26 milion leke dhe të rrugës së fshatit Sohodoll me vlerë 23 milion lekë. Loti i 1-rë si rrugës Peshkopi - Kukës, përkatësisht aksi Grykë e Gobenit - Përroi Kapsit ishte vepra e fundit publike e inauguruar sot nga Kryeministri në këtë qark.  Nga ky aks me vlerë 231 milion lekë, gjatësi rreth 10 km dhe gjerësi 7 m do të përfitojnë rreth  15 mijë banore. Ky aks rrugor është pjesë integrale e korridorit të verilindjes.  Asfaltimi i rrugës ka shkurtuar edhe kohën e lëvizjes së banorëve, nga mbi një orë udhëtim që ishte më parë, tani qyteti i Peshkopisë arrihet në rreth 20 minuta. Në total  rruga Peshkopi - Kukës, ka një gjatësi rreth 64 km. Kjo rrugë u shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë komunave Kastriot dhe Fushë Çidhen. Në mënyrë indirekte ajo ju shërben fshatrave të komunave  Zall Dardhe, Arras,  Sllovë dhe Kala e Dodës. Zona që i shërben kjo rruge njihet për nivelin e lartë të prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe frutore. është një zonë që ka shumë fermerë. Duke folur para banorëve, Berisha tha se zotimi i qeverisë shqiptare, është ndërtimi i zonave rurale me infrastrukturën më moderne, duke adaptuar kështu standardet më të mira të Bashkimit Evropian. “Zotimi ynë solemn para jush është se, aty ku jetoni ju, të keni një infrastrukturë të njëjtë me të qyteteve të vendit, të keni infrastrukturë rrugorë, ujë, drita, njëlloj si fshatrat, që janë në zonat e tjera rurale në Europën e zhvilluar. Ne ndërtojmë rrugët me bindjen më të thellë se, rruga, pas shkollave dhe energjisë, është faktori më kryeso i zhvillimit, të çdo fshati, të çdo qyteti, të çdo zone, të çdo qarku në Shqipëri. Ne ndërtojmë rrugët, sepse ato hapin potenciale të mëdha zhvillimi të reja dhe të pa imagjinuara më parë”, u shpreh Berisha. Ai tha se “nga Tirana për të ardhur në Peshkopi njerëzit sot e mendojnë se kjo është mundim, por pas ndërtimit  të rrugës së Arbërit, kjo do të jetë kënaqësi dhe çlodhje. Pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, përfundimit të rrugës Kukës-Peshkopi, Peshkopi-Qafë Studen, Peshkopia shndërrohet në një qendër të fuqishme të zhvillimit rajonal në të gjithë Shqipërinë veri-lindore. Infrastruktura jonë moderne, për të cilën ne jemi zotuar në takimet e mëparshme, hap Peshkopinë drejt Kosovës, drejt Tiranës, drejt Dibrës së Madhe, drejt Shkupit. Unë ju njoh mirë ju. Ndër shqiptarët, më punëtorë se ju nuk ka, ndaj dhe ju ftoj ju mbi bazën e asaj që ju keni ndërtuar me mund, me djersë, me sakrifica të mëdha, sepse tani ju jeni në një kohë tjetër, të mendojmë ato që nuk kemi menduar më parë, të mendojmë të shtojmë të ardhurat tona në çdo familje, në Kastriot, në Sllovë, në Kala të Dodës, në Zerqan dhe kudo që jetojmë”, tha ai. Kryeministri vuri në dukje se ndërtimi i infrastrukturës, ndihmon ndjeshëm zhvillimin e turizmit në këto zona. Berisha shprehu interes për të vizituar Kalanë e Dodës dhe malin e Korabit. “Potencialet tuaja janë të mëdha, qarku juaj ka potenciale të jashtëzakonshme turistike. Sapo të ndahem nga ju, do të kem një ndalesë të shkurtër në Peshkopi dhe do të shkoj drejt Kalasë së Dodës. Miqtë e mi më ftuan për një drekë, por ju thash se para drekës dhe pamjes së Korabit, unë po zgjedh këtë të dytën. Do të bëjmë gjithçka që malet e Dibrës ti njohin mbarë shqiptarët, ti njohë e mbarë Europa”, theksoi ai. Duke vlerësuar potencialet natyrore të Dibrës, të cilat janë një pasuri e çmuar kombëtare, Berisha tha se lumenjtë e shumtë në këtë zonë, s’do derdhen më në dete të fjetura, por do të shfrytëzohen për prodhimin e energjisë elektrike. “Me potencialet e tyre të jashtëzakonshme turistike, do të bëjmë gjithçka që ujërat e Dibrës, ujërat e këtij qarku, të shndërrohen të gjitha në energji elektrike dhe të mos derdhen të fjetura në det”, tha Berisha. Ai garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për nxitjen e fermerëve, në kultivimin e drurëve frutorë. “Do të bëjmë gjithçka, që toka pjellore e mrekullueshme e këtij vendit të bëjë që qarku juaj të shndërrohet  në prodhuesin  kryesorë  të frutave në Shqipëri. Qeveritarët e Dibrës më informuan se është tejkaluar në rrënjë molle prodhimi dhe mbjellja e dikurshme, e pashë këtë dhe më krijuan përshtypjen se kishin ndaluar tek ato numra, por jo, ne duhet ti trefishojmë.  Unë e di që  keni disa vështirësi për tregun, por unë ju jap fjalën se secilit që do të aplikojë për ndërtim frigoriferësh dhe impiantesh për konservimin e frutave, ne do ta financojmë me kredi të buta. Ndaj dhe ftoj biznesmenët e Peshkopisë të ndërtojnë këtu në Peshkopi, të njëjtin sistem ftohje që është ndërtuar në Korçë dhe që ka bërë, që të mos mbetet as edhe një kilogram mollë pa u shitur. Potencialet tuaja janë të mëdha. Ju jeni një zonë ideale për arrën, lajthinë, gështenjat në disa zona, ndaj dhe ne le të mendojmë së bashku atë që nuk kemi menduar deri dje, të krijojmë këtu në Peshkopi dhe kudo, pyjet me arra, me lajthi, me dru frutorë. Qeveria do të financojë rrënjë për rrënjë çdo gjë që ju do të mbillni, por jam i bindur se nëse ju vendosni, brenda një kohe shumë të shkurtër, do të gjeni të gjithë mundësinë për të shumëfishuar bahçet tuaja, drurët frutorë në tokat tuaja. Le të përshtatemi  ne me ritmet e zhvillimit. Sot Peshkopia ka universitet, i cili  do të vijë gjithnjë në rritje. Peshkopia së shpejti do të ketë një nga infrastrukturat më modernë në  vend. Ju garantoj se ujërat  minerale të Korabit, të Stopanikës, do të vijnë në çdo vatër familjarë këtu në Kastriot  dhe në të gjithë rrethin tuaj. Ne do të ndërtojmë sistemin rrugor, ujësjellësit, kanalizimet, sistemin e vaditjes, shkollat e standardeve më të mira. Këtu në Kastriot, në Kala të Dodës  në çdo vend, në çdo komunë të këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka që investimet në zonat malorë te shumëfishohen. 8 vjet pa taksa secili prej atij që vendos të investojë në zonat malorë të Peshkopisë dhe të mbarë Shqipërisë”. Duke iu referuar klasës politike, Berisha tha se në parlamentin shqiptar ekziston një lëvizje donkishoteske, që tenton të pengojë evropianizimin e Shqipërisë. “Ju e patë betejën e turpshme donkishoteske që bënë kundër rrugës së Kombit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës së Arbërit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës Tiranë-Elbasan, votën e tyre kundër pensioneve, kundër rritjes së rrogave, kundër shtrirjes së internetit në Shkolla, tha Berisha, ndërsa shtoi se, zhvillimin asgjë nuk mund ta ndalojë në këtë vend, nuk mund ta ndalojë në radhë të parë se ai bazohet në mundin, djersën, sakrificën, shpirtin tuaj punëtorë. Nuk mund ta ndalojnë, sepse ai bazohet në një seri reformash. Të tjera reforma,  kanë si synim të ndryshojmë  gjithnjë me shumë për mirë jetën tuaj, t’ju bëjmë ju më të sigurt, t’ju bëjë ju më të begatë më të lirë. Ka qenë një rrugë, në të cilën ne sot bëmë vendin anëtare të NATO-s, rrugë në të cilën ne dyfishuam pensionet në fshatrat, rrugë në të cilën ne kemi ndërtuar  mbi 9 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin.  Rrugë në të cilën ne kemi hequr vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Rrugë në të cilën ne po ndërtojmë korridoret  e mëdha që transformojnë Shqipërinë. Mbështetja juaj, puna juaj djersa juaj ka qenë vendimtare. Në këto rrugë kemi pasur pengesa të kuptueshme , vështirësi  për atë që kemi trashëguar, por gjithnjë të dashur  banorë të Kastriotit dhe Peshkopisë, nuk mund të harrojmë kurrë se atë që i kemi bërë në vetes  nuk na e kanë bërë të tjerët. Se më shumë  i kemi bërë ne keq vetes sesa na kanë bërë të tjerët, se atë që bëri diktatura nuk na e ka bërë asnjë pushtim”, tha më tej, Berisha.    


Investimet e Qeverisë shqiptare në qarkun Dibër:  


Në këto vite janë ndërtuar 395 km rrugë, 104 sisteme ujësjellës e kanalizime, 58 shkolla, 75 Ambulanca dhe 5 tregje agro-industriale.


Në bujqësi dhe agro-industri, janë investuar 500 milion lekë.


Me subvencion janë mbjellë mbi 700 ha pemëtore, arrorë  e vreshta dhe kanë përfituar 1510 bujq    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›