Nis protesta e bazës socialiste: “Pyetja ndaj Edi Ramës sot është, ku është vota ime?”
Anëtarësia socialiste: Votimi për delegatët, turpi i radhës për Edi Ramën
S’do mend se votimi i para dy ditëve për delegatët e kongresit, ishte një turp për Partinë Socialiste dhe vetë Edi Ramën. Të këtij mendimi janë socialistët e thjeshtë, të cilët edhe pse u thërritën të merrnin pjesë në procesin e votimit me premtimin se vota e tyre do të trajtohej në mënyrë demokratike, zhgënjimi është prezent, madje është gjithandej.
Nisur nga një proces votimi, i cili dukshëm s’respektonte asnjë prej parimeve të premtuara si garancia e emrave në lista, trajtimi i barabartë për secilin anëtar me të drejtë vote, situata është ashpërsuar gjatë numërimit të votave për delegatët. Ky proces është realizuar në mënyrë jo transparente, ndërsa s’janë lejuar të ndjekin procesin e numërimit të votave, asnjë prej socialistëve të thjeshtë, madje as ish drejtues të degëve lokale të PS-së në rrethe.
Ky proces është realizuar nga vetë komisioni, i cili ishte nën diktatin e deputetit dhe kryetarit të degës së PS (kjo strukturë ka qenë tërësisht e komanduar, pasi për ngritjen e tij ka firmosur deputeti më i afërt me Ramën).
Gjithçka është kryer në funksion të manipulimit dhe deformimit të vullnetit votues të socialistëve. Kjo bëhet edhe më tragjikomike po të kujtojmë se PS ka 3 vjet që akuzon për manipulime dhe deformime të vullnetit të votuesve, në një kohë kur është vetë kryemanipuluese dhe kryedeformuese e vullnetit demokratik, edhe ndaj vetë anëtarësisë së saj.
“Turpi i radhës, nuk flas dot!”, shprehet një ish drejtues i degës lokale të PS-së në Kuçovë, teksa nuk vonon të akuzojnë drejtpërsëdrejti Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Rama, për manipulimin e zgjedhjes së delegatëve.
“Në Kuçovë numërimi i votave për delegat ishte një skandal i vërtetë. Dyet kyçen dhe vetëm deputetja numëron së bashku me Komisionin që vendosi vetë. Kësaj i thonë, ‘S’ka rëndësi kush voton, por kush numëron!’ Dhe le t’i shkojmë t’i kërkojmë votën tonë Saliut...kur ne paskemi trashëgimtarë të Salës brenda vetes tonë. Pyetja ndaj Ramës dhe socialistëve të Kuçovës sot është: Ku është vota ime?”, deklaron më tej, ai.
E njëjta situatë vlen dhe për qytetet e tjera, ku socialistët po përgatiten për një valë protestash kudër Ramës, me moton “Ku është vota ime”?