E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr mes disa shqiptarëve në Itali, plagoset rëndë i riu



SAVONA - Një 22-vjeçar shqiptar është rrahur në mënyrë brutale e më pas është goditur me shufra hekuri në kokë, duke mbetur i plagosur rëndë, nga një grup tjetër të rinjsh shqiptarë, në Savona të Italisë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, në vendin e quajtur “Piazza Sisto”, pranë Bashkisë së Savonës, gjatë një aktiviteti të Kryqit të Kuq, ku pjesëmarrës ishim edhe mjaft fëmijë, të cilët u bënë dëshmitarë të ngjarjes së dhunshme. Policia, e njoftuar nga disa dëshmitarë, si dhe miqtë e 22-vjeçarit shqiptar me iniciale E.S., i cili mbeti i plagosur, arriti në vendin e ngjarjes kur gjithçka kishte përfunduar dhe autorët kishin mundur të largoheshin. Media italiane, që i referohet policisë lokale, shkruante se autorët e sulmit ende nuk janë identifikuar, por sipas deklarimeve të dëshmitarëve, ata i përkasin një grupi tjetër të rinjsh nga Shqipëria. Policia e Savonës dyshon se ngjarja ka ndodhur pas një komplimenti që 22-vjeçari E.S. i ka bërë një vajzë, që siç duket, njihej nga të rinjtë që ndodheshin në një makinë tip “Mercedes” dhe kanë zbritur duke rrahur e plagosur të riun shqiptar. Mediat italiane shkruajnë se i riu i plagosur është dërguar në spitalin “Shën Pali”, të Savonës dhe pas ndërhyrjes së mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën, edhe pse gjendja e tij shëndetësore mbetet e rënduar. Autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›