E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betejë pa fitues

Share

Super e marta! Një garë dramatike kokë më kokë. Në fund fiton Romney. Kandidati republikan arrin të marrë gjashtë shtete, mes tyre edhe Ohio. Deri më tani kush ka fituar në Ohio, ka qenë kandidati republikan për president.

Por Romney nuk ka arsye për të gëzuar. Ndoshta vetëm për të marrë pak frymë. Arsyeja: rivali i tij më i fortë, konservatori Rick Santorum është akoma i fuqishëm në garën e republikanëve. Një këshilltar i CNN deklaroi se nëse Romney do tregonte se mund të fitonte jugun, atëherë garda e vjetër e republikanëve dhe zgjedhësit konservatorë do ktheheshin nga ai, ndërsa konkurrentëve do iu thahej ndihma financiare. Por Santorum mori shtetin Tennessee dhe Newt Gingrich mori Georgia-n.

Bilanci i Super të Martës: Romney fitoi në Alaska, Ohio, Virginia, Vermont, Massachusetts dhe Idaho. Rick Santorum fitoi në Tennesse, Oklahoma dhe Dakota e Veriut.

Edhe pse Romney hodhi në këtë fushatë të Super të Martës pesë herë më shumë para se Santorum, sërish nuk e pa veten shumë të shkëputur.

Konservatori Rick Santorum mban qëndrime të rrepta për tema si aborti e martesa, madje vë në pikëpyetje edhe ndarjen e shtetit nga kisha. Ne jemi gati që të fitojmë kudo në vend, tha Santorum.

Ndërkohë që republikanët nuk janë bashkuar rreth një kandidati, dikush ka arsye për të buzëqeshur: Presidenti amerikan, kandidati demokrat, Barack Obama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›