E Diel, 1 Nëntor 2026

Betimi, Topi kërkon justifikim të besimit nga anëtarët e Gjykatës së Lartë



Gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë bërë dje betimin pranë Presidentit të Republikës. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e rastit, presidenti Topi ka kërkuar prej anëtarëve që të justifikojnë besimin e dhënë nga ai dhe Kuvendi për të mbajtur postet e anëtarëve të kësaj gjykate. Topi gjithashtu ka kërkuar gjykimin me profesionalizëm duke lënë mënjanë qëndrimet politike. “Varësia juaj e vërtetë nuk mund të jenë preferencat politike, edhe pse Kuvendi miratoi emrat tuaj, por vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet, që përbëjnë garancinë tuaj më të mirë për një karrierë gjyqësore. Do të pretendoja prej jush veçanërisht profesionalizëm, pasi Gjykata e Lartë është në një farë mënyre ’Asambleja Parlamentare’ e pushtetit gjyqësor, që ’përligj’ jurisprudencën shqiptare dhe vulos përfundimisht fatin e komunitetit shqiptar që përplaset nëpër gjykata”, - është shprehur Topi. Presidenti gjithashtu theksoi faktin se standardet profesionale të anëtarëve të Gjykatës së Lartë do të përbëjnë në të ardhmen etalon dhe për profesionalizimin e gjykatave të niveleve me të ulëta. “Natyrisht, në angazhimin tuaj të përditshëm, standardet profesionale që ju kërkohet të demonstroni do të përbëjnë së pari një shembull për gjyqtarët e dy niveleve të tjera të sistemit gjyqësor, vendimet e të cilëve ju do të vlerësoni dhe së dyti një shprehje e denjësisë dhe integritetit gjyqësor, të tillë që të meritojnë respektin e çdo subjekti të së drejtës, që çështjen ia ka besuar sistemit të drejtësisë”, - është shprehur Topi. Ai gjithashtu bëri me dije se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë u shoqërua jo vetëm nga transparenca dhe konsulenca e ekspertëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, por edhe nga një debat i gjerë politik e institucional. Topi theksoi se gjykata është garant i funksionimit të shtetit ligjor dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. “Gjykata nuk është e askujt, por njëkohësisht gjykata është e të gjithëve. Respekti për institucionet e Drejtësisë duhet të tregohet jo formalisht, apo nëpërmjet retorikës politike, por nëpërmjet vullnetit të pastër politik për reforma të gjera e të thella në vazhdimësi, me përgjegjshmëri, vlerësim profesional dhe etikë të komunikimit qytetar, për të prodhuar një imazh të fortë publik për një drejtësi të pakorruptuar, për të cilën jemi të uritur”, - është shprehur Topi. Të pranishëm në ceremoninë e betimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë ishin dhe përfaqësues të EURALIUS-it dhe përfaqësive të tjera ndërkombëtare në Shqipëri.

Anëtarët:
Ariana Fullani
Aleksandër Muskaj
Evelina Qirjako
Guxim Zenelaj
Majlinda Andrea
Andi Çeliku

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›