Vlorë, aksione kundër hashashit në fshatra
Vlorë- Pas operacionit “Korrik 08”, i zhvilluar në fshatrat e Vlorës për asgjësimin e hashashit, muaji gusht do të jetë sërish muaj aksioni.
Sipas informacioneve që vijnë nga këto zona, sot efektivët kanë zbarkuar në fshatrat Gorrisht ku janë asgjësuar 180 rrënjë bimë narkotike. Pas kontrolleve në këtë fshat, grupe të tjera kanë ushtruar kontrolle në fshatin Romës, ku janë asgjesuar në dy sipërfaqe 160 rrënjë bimë narkotike.
Asgjësimet e fundit në ditën e sotme janë kryer në fshatin Mallkeq, ku janë asgjesuar edhe 120 rrënjë të tjera. Drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati në lidhje me këto asgjësime, në një prononcim të bërë ka thënë se aksionet antikanabis do të vijojnë deri në bimën e fundit dhe po me të tilla ritme edhe identifikimi i autorësisë.
Por, gjatë aksionit të sotëm mësohet se nuk ka pasur asnjë person të shoqëruar, apo të dyshuar për akuzën e mbjelljes dhe të kultivimit të bimës narkotike.