Kartat e identitetit, Presidenti dekreton kontratën
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar gjatë ditës së djeshme kontratën koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Dekretimi i kësaj kontrate i hap rrugën fillimit të procesit të prodhimit të kartave të identitetit dhe më pas pajisjes së qytetarëve më këtë dokument. Pritet që procesi i pajisjes së qytetarëve më karta identiteti të përfundojë në pranverë të vitit të ardhshëm, duke i paraprirë në këtë mënyrë dhe zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Presidenti Topi gjithashtu ka dekretuar dhe ligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për realizimin e një sistemi kompjuterik për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në Shqipëri”.
1 Gusht 2008