E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqetësimi i SHBA-së, kambanë alarmi për Berishën

 

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka reaguar dje ndaj shqetësimit të amerikanëve për cenimin e institucioneve të pavarura në vend

TIRANË- Kambana alarmi që bien për kryeministrin Sali Berisha. Kështu i ka cilësuar shefi i opozitës Edi Rama kritikat e lëshuara një ditë më parë nga shqetësimi i diplomatit amerikan në Tiranë, i bërë publik pas një takimi informal me gazetarët, lidhur me cenimin e parimeve të demokracisë dhe përpjekjeve të qeverisë për të nënshtruar pushtetet e tjera. Në një dalje të posaçme për mediat, kreu i PS-së, duke i vlerësuar këto deklarata si një barometër real për atë që ndodh në të vërtetë në Shqipëri, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Berisha se me keqqeverisjen e tij ka vënë në rrezik dhe ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese në strukturat Euroatlantike. “Alarmi i dhënë dje nga miqtë tanë të mëdhenj amerikanë për kërcënimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri, duke bërë përgjegjëse qeverinë e zotit Berisha, është jo vetëm shprehja më kuptimplotë e interesimit të Shteteve të Bashkuara për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, por edhe kulmi i shqetësimit të shprehur ndonjëherë prej tyre publikisht në këto 17 vjet si pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë. As në vitin e rëndë 1996 alarmi nuk ka qenë kaq kumbues, interesimi për Shqipërinë e shqiptarët kaq i madh dhe shqetësimi për keqqeverisjen e vendit kaq i hapur”,- u shpreh Rama duke theksuar gjithashtu se shqetësimet e ngritura nga diplomati amerikan, nuk janë gjë tjetër veçse një konfirmim i atyre qëndrimeve që PS ka përcjellë në vazhdimësi. Referuar pikërisht shqetësimeve për çështjet konkrete që ngrinte ky diplomat, Rama ka vlerësuar se të gjithë këta elementë negativë nuk mund të jenë tipare dalluese të një vendi që ka marrë tashmë ftesën për të qenë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kështu, kryesocialisti ka dhënë alarmin për rrezikun që i kanoset zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga mospërgjegjshmëria absolute e qeverisë për të plotësuar ato standarde jetike, për të pasur për herë të parë zgjedhje plotësisht të lira dhe demokratike. “Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku kërcënohen zgjedhjet e lira e ku vullneti i lirë i shqiptarëve e shqiptareve rrezikohet nga po ata njerëz që në vitin e rëndë 1996 projektuan e realizuan krimin shtetëror të manipulimit të votës së popullit, dhe sot kontrollojnë Ministrinë e Brendshme për llogari të Sali Berishës. S'mund të jetë vendi ku qeveria i kërkon zyrtarisht OSBE-së të shmanget nga roli i saj kryesor dhe të ulë fuqinë vëzhguese në vend, për t'i pasur duart më të lira, që të bëjë në vitin 2009 atë që bëri në vitin 1996! Kjo kambanë bie për Sali Berishën!”,- tha më tej Rama. Gjithashtu, ka theksuar ai, “Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku pushteti gjyqësor jeton nën kërcënimin konstant të forcave qeverisëse, ku përpara ligjit, Kryeministri e ministrat e tij pa imunitet nuk janë të barabartë me qytetarët e qytetaret e këtij vendi, ku qeveria harton në errësirë projektligje për t'u mbrojtur nga Prokuroria duke izoluar Prokuroren e Përgjithshme dhe marrë liri e kompetenca që i takojnë organit të akuzës”. Nisur nga cenimi i këtyre treguesve të funksionimit të demokracisë, kreu i PS-së i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të dëgjojë, sa nuk është vonë, alarmin e dhënë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të bëhet garant për respektuar të drejtat e njeriut, ligjin dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›