Canaj: “Mendoj vetëm kualifikimin”
Me fitoren 2-1 në transfertë me sllovenët e Koperit, Vllaznia i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në turin e dytë të eliminator të Kupës UEFA. Dy golat e Xhevair Sukajt i japin një garanci të madhe skuadrës shkodrane, që mund të kualifikohet edhe nëse humbet 0-1 në “Loro Boriçi”. Gjashtëherë fituesja e Kupës së Shqipërisë është përgatitur seriozisht për të arritur rezultatin pozitiv, ashtu siç edhe bënë sezonin e kaluar në turin e parë të Kupës Intertoto kundër NK Zagreb. “Mendoj se një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë do të thotë se për mua kualifikimi është i hapur”, - tha trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, i ardhur në bankinën shkodrane në fillim, të merkatos së kësaj vere.
“Kualifikimi është ai që ka rëndësi për ne, por ne do të luftojmë të arrijmë fitoren edhe në fushën tonë”, - shtoi ish-trajneri i Dinamos. Takimi Vllaznia-Koper do të luhet ditën e enjte, në orën 20:00 dhe do të gjykohet nga irlandezi Antoni Butimer. Delegati i UEFA-s është turku Syheyl Onen, ndërsa vëzhguesi i gjyqtarëve i dërguar nga UEFA është serbi Zoran Petroviç.
Tare: “Dua të çoj Lacion në Europë”
Igli Tare e ka marrë seriozisht punën e re, pasi vari këpucët në gozhdë. Drejtori i dyfishtë i Lacios: teknik e sportiv, është duke ndjekur skuadrën në grumbullimin e saj. E ndjen veten gjithmonë pjesë e grupit dhe detyra e tij është të qëndrojë në dispozicion të lojtarëve bardhekaltër për çfarëdo lloj problemi. Qëllimi i tij më i rëndësishëm siç thotë dhe ai gazetën më të madhe sportive italiane “Corriere dello Sport” është “të çojë Lacion në Europë”. Në lidhje me kampionatin e ardhshëm, Tare shpreson se Lacio e tij do të bëjë më mirë se sezonin e kaluar. “Viti i kaluar nuk shkoi mirë, duhet të kthemi të fortë si në kohët më të bukura. Jemi një skuadër e re dhe bazohemi te grupi. Dimë që vetëm me punë mund të bëjmë mirë”. Tare flet edhe për rolin e ri. “Jam i kënaqur të punoj për një klub prestigjioz si Lacio. Drejtor sportiv në të ardhmen? Akoma nuk mendoj për këtë pozicion. Tani kërkoj të fitoj eksperiencë, roli i drejtorit sportiv është delikat”.
31 Korrik 2008