E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betimi i Bashës, mblidhet të hënën Këshilli Bashkiak

Gjoni: Mungesa e të majtëve nuk cenon konstituimin, pasi mazhoranca i ka numrat e domosdoshëm

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mbajë ditën e hënë mbledhjen e tij të parë, gjatë së cilës pritet të bëhet edhe betimi i kryebashkiakut të ri Lulzim Basha. Pavarësisht bojkotit të opozitës, të djathtët kanë vendosur të mbledhin Këshillin Bashkiak më 25 korrik. Sekretari i Këshillit të Bashkisë së kryeqytetit, Vladimir Gjoni, thotë se mungesa e të majtëve nuk cenon konstituimin, pasi mazhoranca i ka numrat e domosdoshëm. “Ditën e hënë, më datë 25 korrik në orën 10.00, këtu në sallën e Këshillit Bashkiak, gjë për të cilën janë njoftuar, apo janë duke u shkuar njoftimet të gjitha subjekteve politike. Që të bëhet konstituimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës duhet që në sallë pjesëmarrja të jetë 50+1 e të gjithë anëtarëve të këshillit, pra në rastin konkret Bashkia ka 55 anëtarë dhe duhet të jenë minimalisht 28 anëtarë, që të mund të zhvillohet mbledhja. Me 28 anëtarë procedohet në të gjitha drejtimet. Vlera e marrjes së mandatit të ri është e padiskutueshme që merret, pavarësisht se ç’ndodh. Vjen apo jo zoti Rama, gjë për të cilën duhet pyetur ai”, - tha Gjoni. Ditën e djeshme, sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, shpalli mbledhjen e Këshillit të ri Bashkiak. Pas verifikimit të mandatit të kryetarit, Lulzim Basha do të bëjë dhe betimin si kryetari i Bashkisë së Tiranës, para 55 anëtarëve të këshillit. Vladimir Gjonaj në një prononcim për median tha se thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak e kishte bërë bazuar në ligjin nr.8652 të korrikut 2000 “Për organizimin e funksionimin e qeverisjes vendore”. “Fillimisht do bëj verifikimin e kuorumit. Nga 55 anëtarë që ka këshilli, minimalisht duhet të jenë 28 anëtarë. Më pas do zgjidhet këshilltari më vjetër, i cili do të drejtojë dhe mbledhjen e parë të këtij këshilli”, - sqaroi Gjonaj. Sipas ligjit “Për pushtetin vendor”, mbledhja e parë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, të paktën 28 anëtarë. Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet dhe ajo thirret tri ditë më vonë, por jo më shumë se tri herë. Në rastet kur edhe pas tri herësh thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë. Sipas tabelës përmbledhëse për Tiranën, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 Majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 vende në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, 27 vende.

Më pas ngrihet komisioni i mandateve, i cili do bëjë verifikimin e miratimin e mandateve të anëtarëve të këshillit. Fillimisht do të bëjnë betimin këshilltarët, zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut dhe ata pajisen me mandatin e përfaqësimit. Pasi përfundon kjo procedurë vjen momenti i shpalljes së vlefshmërisë së mandatit të ri të kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës dhe betimi i tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›