Fishta: Efektet e vendimit të Qeverisë, mbi qindra punonjës policie
Intervistoi: Thimi Samarxhiu
Sadedin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë, thotë se janë me qindra punonjësit e policisë që kanë përfituar shpërblim gjatë këtij viti nga fondi i veçantë, e, sipas vendimit të qeverisë, do të detyrohen t’i kthejnë ato në shtator. Në këtë intervistë për MAPO-n ai pohon se padia e dorëzuar në gjykatë nuk përfshin shpërblimet nga fondi rezervë dhe as orët suplementare të përcaktuara në fondin e pagave, për të cilat Ministria e Brendshme pohoi dje se nuk janë objekt i vendimit të qeverisë. Kreu i Sindikatës së Policisë pohon se do ta çojë këtë çështje deri në Gjykatën Kushtetuese, nëse është nevoja, e për këtë hap ka vënë në dijeni edhe Avokatin e Popullit.
Zoti Fishta, pak ditë më parë ju keni depozituar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë-padi kundër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme, për shfuqizimin e vendimit nr.472, datë 2 korrik 2011 dhe shpalljen të pavlefshëm të urdhrit pasues të ministrit Bujar Nishani. Ku konsiston realisht kjo padi dhe çfarë dëmesh i sjellin efektivëve të policisë këto vendime?
Ne nuk e kontestojmë të gjithë vendimin e Qeverisë, por vetëm atë pjesë që prek drejtpërdrejt interesat e punonjësve të Policisë së Shtetit, interesa këto që i takojnë me ligj, qofshin me vendimet e mëparshme apo qoftë dhe me ligjet që janë në fuqi. Konkretisht, ne atakojmë në vendimin e Qeverisë, jemi kundër ndalimit që do t’u bëhen në pagë në shtator, efektivëve të policisë, të cilën e shpreh edhe Vendimi edhe Urdhri i ministrit, për shpërblimet që janë dhënë nga fondi i veçantë, jo nga fondi rezervë i Qeverisë. Janë me qindra punonjës policie, të cilët janë shpërblyer 6-mujorin e parë për punë të mirë, nga fondi i veçantë. Fondin e veçantë, e sqaron më mirë së kushdo vendimi i Qeverisë “Për pagat dhe shpërblimet”, që është në fuqi. E dyta, ne kundërshtojmë atë pjesë të vendimit i cili kërkon të rikthehen lekët, nga ata të cilët janë shpërblyer për lejet e zakonshme, që nuk janë bërë në vitin 2010. Këto leje të zakonshme, deri në muajin mars, nuk janë kryer nga punonjësit e policisë për arsye pune dhe këto shpërblime janë marrë konform rregullave dhe ligjeve dhe nuk mund të dalë as vendimi i Qeverisë kundër Kodit të Punës ose kontratës kolektive, që të rikthejë dhe njëherë në buxhet këto lekë, të cilat ata i kanë marrë konform rregullave dhe ligjeve. Këto janë dy pikat për të cilat ne jemi shprehur me kërkesë-padi në Gjykatë.
Nga verifikimet që keni kryer ju, sa është shifra e shpërblimeve që kanë marr punonjësit e policisë dhe që do jenë të detyruar t’i kthejnë sërish?
Ne i kemi bërë një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme dhe shumë shpejt do të marrim një informacion për këtë çështje. Vendimi i Qeverisë shoqërohet dhe me tabelat përkatëse, të cilave do t’u referohet dhe Ministria për të parë se sa është numri i punonjësve të policisë që preken nga ky vendim. Deri tani nuk mund t’ju japim një shifër të saktë.
Në padinë e depozituar në gjykatë ju shpreheni se nuk keni pasur asnjë kontakt me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë apo dhe me Ministrinë e Brendshme, për të diskutuar në lidhje me këtë ligj. A vazhdon sërish të jetë e njëjta situatë?
Ne si Sindikatë e konsiderojmë veten si partner edhe me Qeverinë dhe në veçanti me Ministrinë e Brendshme, por kjo gjë është përsa kohë ne ata na marrin mendim apo bëhemi pjesë e një vendimmarrje që ka të bëjë me interesat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Në rastin konkret, ne nuk kemi asnjë lloj kontakti dhe nuk kishim asnjë informacion se do të merrej në vendim i tillë që të prekte dhe të cenonte të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Vetëm në momentin e fundit, kur ky vendim është bërë publik, atëherë jemi njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme.
Në një sqarim për opinionin publik, Ministria e Brendshme bën të ditur se shpërblimet financiare të shpërndara gjatë këtij viti për punonjësit e Policisë së Shtetit janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe jo nga fondi i veçantë, për rrjedhojë nuk janë objekt i këtij vendimi dhe nuk kthehen në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, është sqaruar se pagesa e orëve suplementare, e kryer për strukturat e Policisë së Shtetit, nuk është objekt i kthimit në buxhet, sepse përfshihet në fondin e pagave. A e bën kjo të pavlefshme padinë tuaj?
Të dyja këto reagime nuk përputhen me ankimimin që kemi bërë ne. Ne jemi plotësisht dakord me këto pretendime që ka nxjerrë Ministria e Brendshme, pasi ne e kemi lexuar vendimin dhe aty shprehet dhe për këtë rast, por ne kemi kundërshtuar atë pjesë të vendimit që nuk është përmendur as në reagimin e Ministrisë, ku bëhet fjalë për kthimin e lekëve të lejeve të zakonshme si dhe për shpërblimet që janë dhënë nga fondi i veçantë për punë të mirë të punonjësve të Policisë. Mund t’ju them që për punë të mirë janë shpërblyer dhe shumë punonjës policie, të cilët kanë qenë me sëmundje të pashërueshme, edhe sot ata nuk jetojnë më. Në bazë të këtij vendimi, detyrohen familjet e tyre që të kthejnë këto para, që është një absurditet. Duke parë këtë reagim të Ministrisë së Brendshme, duket se ata nuk janë në dijeni të padisë së bërë nga ana jonë. Njëkohësisht, edhe urdhri i ministrit Nr.350 datë 08.07.2011, ka dalë para kohe, pasi më parë duhet të kishte dalë në Fletoren Zyrtare dhe ne aktualisht nuk kemi asnjë informacion që ky vendim të jetë botuar në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që të dilte dhe urdhri i Ministrit.
Në rast se Gjykata e Tiranës nuk e pranon padinë tuaj, cilët do të jenë hapat e mëtejshëm që ju do të ndiqni?
Nuk besoj që ne kemi bërë një padi që bie ndesh me ligjin. Por në rast se marrim rastin më të keq, ju them që detyrimisht nuk mbaron këtu, sepse Gjykata me marrjen e padisë do të orientojë dhe se kujt duhet t’i drejtohet. Në rast se në Gjykatën e Shkallës së Parë nuk gjendet një zgjidhje, mbetet dhe Gjykata Kushtetuese, por ne kemi vënë në dijeni dhe Avokatin e Popullit, për ta ndjekur këtë procedurë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky është një problem që prek xhepat dhe borderotë e policëve, prek familjet e tyre. Detyrimisht, në një situatë ku çmimet vazhdimisht po rriten dita-ditës, paga është e pandryshueshme, kështu që vështirësitë financiare të punonjësve të policisë sa vijnë e rriten. Në kushte të tilla, ne nuk mund të rrimë duarkryq, por duhet të kërkojmë atë që është më e mira për efektivët e policisë.
Padia përfshin:
1-Shpërblimet e dhëna nga fondi i veçantë, jo nga ai rezervë
2-Shpërblimet për lejet e zakonshme, që nuk janë bërë në vitin 2010
Ministria: Shpërblimet dhe orët shtesë nuk kthehen
Ministria e Brendshme hedh poshtë pretendimet e Sindikatës së Policisë për efektet e vendimit të Këshillit të Ministrave mbi punonjësit e policisë
Tiranë Menjëherë pas bërjes publik të lajmit për padinë e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, ka reaguar dhe Ministria e Brendshme. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme sqaron se: Shpërblimet financiare, të shpërndara gjatë këtij viti për punonjësit e Policisë së Shtetit janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, konkretisht në shumën e 205 milionë lekëve. “Këto shpërblime nuk janë dhënë nga fondi i veçantë, për rrjedhojë nuk janë objekt i këtij vendimi dhe nuk kthehen në buxhetin e shtetit”, - thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu, sqarohet se pagesa e orëve suplementare, e kryer për strukturat e Policisë së Shtetit, nuk është objekt i kthimit në buxhet sipas VKM nr. 472, datë 02.07.2011, sepse përfshihet në fondin e pagave. “Në këtë vendim është parashikuar vetëm që orët suplementare të punës, të cilat nuk janë kompensuar me pagë deri më tani, të kompensohen me pushim dhe në pamundësi të kësaj të vijojë mënyra e kompensimit financiar.” – thuhet në sqarimin e Ministrisë së Brendshme. Në reagimin e saj Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë pretendimet e Sindikatës së Policisë, si të pasakta dhe jashtë kontekstit sindikalist. Reagimi erdhi vetëm një ditë pas publikimit në media të padisë së dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kundër vendimit të qeverisë për shpërblimet, që prek forcat e Policisë së Shtetit. Th.Samarxhiu