E Diel, 1 Nëntor 2026

Betimi i Obamës, Topalli takon Sekretaren e Shtetit Hilari Klinton

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua dje me Sekretaren e re të Shtetit, Hilari Klinton. Kryeparlamentarja shqiptare e ftuar për të asistuar në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Baraka Obama, ka pasur rastin që të takohet me sekretaren e ardhshme, Hilari Klinton në Uashington. Mes tyre është zhvilluar një bisedë e shkurtër, ku Topalli ka pasur mundësi që të bëjë edhe një dhuratë simbolike Klintonit. Ndërsa mësohet se këtë eveniment do ta ndjekë nga afër edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai është i ftuar të ndjekë këtë ceremoni të betimit të Presidentit të 44-t të SHBA-së. Ceremonia e betimit, që do të mbahet në mesditë në Capitol, pritet të ndiqet drejtpërsëdrejti prej afro 4 milionë njerëzish. Kryetarja e Kuvendit do të ndjekë ceremoninë,  nga tribuna qendrore e personaliteteve botërore, që janë ftuar me këtë rast. Kryetarja e Kuvendit do marrë pjesë në evenimentet festive, që janë organizuar me rastin e inaugurimit. Presidenti Barak Obama do të kryejë betimin, prej 36 fjalësh dhe më pas do të mbajë fjalimin e inaugurimit, duke i folur kombit amerikan dhe botës për herë të parë, si President i SHBA. Ngjarjet e inaugurimit të Presidentit Obama, kanë filluar më 17 janar me udhëtimin me tren, që u nis nga Filadelfia, për të mbërritur në Uashington D.C. "Pranvera e ngrohtë dhe ditë më të mira do të vijnë për SHBA", deklaroi Presidenti i zgjedhur Obama, pasi mbërriti me tren, në Uashington.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›