E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Kushtetuesja drejt pezullimit të ligjit

 

BLEDAR HOTI

Gjykata Kushtetuese pritet të pezullojë ligjin "Për hapjen e dosjeve", deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Burime pranë Gjykatës Kushtetuese bëjnë të ditur se pas paraqitjes së kërkesës zyrtare të PS-së dhe LSI-së do të merret një vendim i ndërmjetëm për të pezulluar zbatimin e ligjit. Ligji "Për verifikimin e figurës së zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë" pritet të hyjë në fuqi më 29 janar, me botimin në Fletoren Zyrtare. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, mësohet se në ankimimin e tyre do të paraqiten dy kërkesa: e para për pezullimin e ligjit deri në momentin e marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe e dyta që të rrëzohet, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkesa e deputetëve të opozitës pritet të depozitohet menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese do ta marrë menjëherë vendimin e ndërmjetëm për pezullimin e ligjit, gjersa të merret një vendim përfundimtar. Procedura që do të ndjekë për këtë çështje pritet të jetë shumë e shpejtë, duke mos e shtyrë në një afat të pacaktuar vendimin përfundimtar. Maxhoranca ka theksuar se ligji nuk mund të shqyrtohet nga ana e Gjykatës, pasi ka konflikt interesi. Zëdhënësi i grupit të PD-së Aldo Bumçi u shpreh në një konferencë për shtyp, "se njerëzit e sistemit të drejtësisë duhet të jenë figura me integritet dhe të paanshëm, bazuar kjo dhe në rezolutën e Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës". Ai theksoi se "Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka miratuar 10 parime bazë mbi të cilat duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, ndër të cilat veçoj parimin e paanshmërisë të gjyqtarëve dhe të integritetit të tyre moral". Bumçi theksoi se për sa i takon parimit të parë, paanshmërisë, gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionet e tyre me paanshmëri dhe të garantojnë aparencën e paanshmërisë. Pavarësisht kontestimeve nga ana e maxhorancës për konflikte interesi, Gjykata Kushtetuese është e vendosur në shqyrtimin e ligjit "Për hapjen e dosjeve". Ndërsa juristë të ndryshëm ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me të drejtën e shqyrtimit të këtij ligji nga ana e Kushtetueses. Eksperti në fushën e jurisprudencës, Genti Ibrahimi ndan mendimin se institucioni më suprem në vend duhet të japë mendimin e tij në lidhje me këtë ligj. "Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë. Pamundësia e prezumuar e disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të marrë pjesë në këtë gjykim, do të vërtetohet vetëm kur ligji, i cili është objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese të fillojë të zbatohet", tha Ibrahimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›