Betimi i presidentit të ri, policia e Tiranës merr masa

Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjes e ceremonisë së betimit të presidentit Bujar Nishani në Kuvend e deri tek dorëzimi i mandatit në presidencë.
Në një njoftim për shtyp policia e kryeqytetit njofton për masat e marra në rrugët kryesore. Sipas deklaratës thuhet se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të kësaj ceremonie zyrtare.
Kështu duke filluar nga ora 06.00 - 22.00 e ditës së sotme ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët përgjatë Bulevardit "Dëshmoret e Kombit" duke filluar nga Ura e Lanës deri tek sheshi "Nënë Tereza".
Gjithashtu gjatë këtyre orëve ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët e rrugës "Abdyl Frashëri" duke filluar nga bulevardi "Dëshmoret e Kombit" deri tek kryqëzimi i rrugës "Ibrahim Rugova" (Librit Universitar).
Policia e Tiranës gjithashtu njofton se duke filluar nga ora 17.00 - 22.00 ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjate Bulevardit "Dëshmoret e Kombit" duke filluar nga Hotel "Rogner" deri tek sheshi "Nën ëTereza".