E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohen 75 deputetë të Kuvendit, mungojnë socialistët

09/09/2009  Vlefshmëria e deputetëve

Kuvendi shpalli të vlefshme mandatet e të 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që dolën nga zgjedhjet e 28 qershorit. Përfundimin e deklaroi gjatë seancës së djeshme kryetari i Komisionit për Verifikimin e Mandatit të Deputetëve, Jemin Gjana. Ai bëri fillimisht një përmbledhje të rezultatit zgjedhor të ndarë në koalicione dhe partive sipas mandateve që kanë fituar. “Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve pasi shqyrtoi dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit. Sipas këtij raporti, rezulton se në zgjedhjen e deputetëve janë respektuar kërkesat e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor. Mandatet e 140 deputetëve janë të vlefshme dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që ti pengojë ata në ushtrimin e mandatit të tyre në Legjislaturën e XVIII-të të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Gjana. Menjëherë pas kësaj, drejtuesi i seancës së djeshme Fatos Beja i ftoi të gjithë deputetët e pranishëm të bënin betimin. Pasi u lexoi atyre tekstin e betimit, thirri një nga një emrat e deputetëve, të cilët sipas rregullores u ngritën më këmbë dhe deklaruan me radhë “betohem”. Komisioni i përkohshëm u ngrit gjatë seancës së parë parlamentare. Ai përbëhej nga pesë anëtarë të mazhorancës, pasi opozita nuk u përfaqësua në këtë komision për shkak të vendimit politik të PS-së për të mos hyrë në Kuvend. Deputetët e komisionit ishin: Jemin Gjana, Mesila Doda, Osman Metalla, Eduart Halimi dhe Nasip Naçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›