E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet Aliu, premton avancim të Ferizajt

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, të premten, solemnisht ka dhënë betimin, para anëtarëve të Kuvendit komunal të Ferizajt. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të komunitetit fetar, të mekanizmave ndërkombëtarë civil e ushtarak, atyre të sigurisë vendore, shoqërisë civile dhe tjerë.

Kryetari Aliu ka thënë se po e merr këtë detyrë për të vazhduar me traditën e suksesshme të qeverisjes.

"Në të gjitha arritjet e deritanishme në Komunën tonë, shoh përkushtimin e bashkëqytetarëve të mi dhe të paraardhësve të mi. Por, në mënyrë të veçantë, ndjehem i motivuar nga rezultatet e mandatit të fundit të qeverisjes së Komunës nga kryetari, Bajrush Xhemajli. Me lejoni që të shfaq vlerësimin dhe falënderimin për angazhimin, energjinë dhe përkushtimin që ka treguar zoti Xhemajli bashkë me stafin e tij në drejtim të veprimeve për transformimin e qytetit tonë dhe të komunës sonë, në një nivel elitar për rrethanat e Kosovës", ka thënë Aliu.

Ai i ka siguruar qytetarët se vazhdimësia e të arriturave të deritanishme, do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të mandatit.

“Do të përpiqem dhe kam idetë dhe programin tashmë të njohur nga të gjithë, që në partneritet me qytetarët, subjektet politike, Kuvendin e Komunës, shoqërinë civile, elitën intelektuale e afariste të Komunës dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ambiciet tona t’i rrisim në nivel edhe më të avancuar. Jo rastësisht, në fazën e kandidimit tim për kryetar komune, kam vënë përpara qytetarëve slloganin: Për Ferizajn Evropian! Jam i vetëdijshëm se duhet punë për të bërë, për realizimin e tij. E di se kërkon kohë për ta bërë. Por, jam i bindur se një thirrje e tillë, është vetë qëllimi i përbashkët i yni. Me përkushtim dhe angazhim të pa reshtur, është një qëllim që mundemi dhe duhet ta arrijmë", ka thënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës, Besim Zymberi ka shprehur bindjen se qytetarët e Ferizajt janë përcaktuar me votë për kandidatin më të arsyeshëm që energjinë e tij dhe kreativitetin do ta vë në shërbim të qytetarëve të Ferizajt.

Para dhënies së betimit, Agim Aliu ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›