E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merret peng 18-vjeçari, pengmarrës një polic dhe shokët e tij



Shkon për t’u sqaruar me një moshatarin e tij për ngacmimin e motrës gjimnaziste, merret peng nga një efektiv policie dhe gjashtë persona të tjerë. Falë njoftimit në kohë dhe ndërhyrjes së policisë, 18-vjeçari është liruar, ndërsa pengmarrësit e tij janë shoqëruar me pranga në duar në polici. Ajo që u ka rënë në sy strukturave policore ka qenë fakti që një prej iniciatorëve të mbajtjes peng të 18-vjeçarit K.K. ka qenë efektivi i policisë në komisariatin nr. 4, ndërkohë që motivi i grindjes ka qenë tërësisht banal. Agjentët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar të shtatë personat dhe duke liruar të riun. Në prangat e uniformave blu kanë rënë Robert Luzi, 22 vjeç, punonjës policie në komisariatin e policisë numër 4, Armando Disha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Ernaldo Matraxhi, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Klodian Çakmashi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, F. T., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, E. Q., 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe A. D., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, përplasja midis dy të rinjve ka nisur pas një sherri për një vajzë. Të rinjtë kishin pasur një konflikt para tre ditëve, pasi grupi që e mbajti peng për pak orë i kishte ngacmuar të motrën 18-vjeçarit me inicialet K.K. Ditën e djeshme, ai ka shkuar të sqarohet me të arrestuarit, por ata e kanë futur në një makinë dhe më pas janë larguar. Policia ka arrestuar të rinjtë dhe i ka shoqëruar ata në qelitë e komisariatit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Ngjarja

Personi i marrë peng dhe njëri prej të arrestuarve, adoleshenti me inicialet F.T., mësohet të kenë pasur një konflikt para tri ditësh. Sherri midis tyre kishte nisur, pasi 17-vjeçari i arrestuar i kishte ngacmuar të motrën të riut, nxënëse në vit të dytë në gjimnaz. Nga të dhënat e para hetimore mësohet që 18-vjeçari të ketë qëlluar tre ditë më parë adoleshentin, ndërkohë që dje kishte shkuar për të sqaruar situatën e ndodhur. Mirëpo është gjendur përpara një “surprize” të pakëndshme nga ana e 17-vjeçarit dhe shokëve të tij, të cilët e kanë futur me forcë në makinën tip “Land Rover” në pronësi të shtetasit E.Q. dhe janë larguar jashtë Tiranës. Pas marrjes së informacionit për rrëmbimin e 18-vjeçarit, janë organizuar shërbimet policore të komisariatit nr. 1, të cilët në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Posaçëm Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit, në një kohë të shkurtër, arritën të bëjnë bllokimin e automjetit dhe autorëve.

Arrestimi

Të rinjtë e kishin futur 18-vjeçarin në makinë dhe ishin larguar në drejtim të fshatit Petrelë. Policia, sapo ka marrë informacionin, është vënë në ndjekje të tyre dhe më pas kreu edhe arrestimin. Në prangat e uniformave blu kanë rënë Robert Luzi, 22 vjeç, punonjës policie në Komisariatin e Policisë numër 4, i cili mendohet se është edhe “truri” që organizoi rrëmbimin. Gjithashtu u arrestua edhe Armando Disha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Ernaldo Matraxhi, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Klodian Çakmashi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, F. T., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, E. Q., 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe A. D., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Land Rover” me targa TR 3060 M. Të shtatë personat e arrestuar akuzohen për kryerjen e veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe të “kanosjes”.

U arrestuan

Robert Luzi, 22 vjeç, punonjës policie në Komisariatin e Policisë nr. 4

Armando Disha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

Ernaldo Matraxhi, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

Klodian Çakmashi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

F. T., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

E. Q., 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

A. D., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›