E Diel, 1 Nëntor 2026

Bexhet Pacolli, president antikushtetues i Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli si antikushtetues, votimin e 22 shkurtit 2011, ku Bexhet Pacolli u zgjodh President. Deputetja e LDK: Nuk bëhet fjalë për shkarkim, pasi nuk kemi të bëjmë me akt të Presidentit, por të Kuvendit. Të presim masën që i propozohet Kuvendit

Prishtinë Bexhet Pacolli, një president antikushtetues. Me shumicë votash, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur dje se zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës ishte në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës. Në njoftimin për mediat, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur vendimin mbi kërkesën e parashtruar nga Sabri Hamiti dhe deputetët e tjerë në lidhje me “vlerësimin e kushtetutshmërisë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, lidhur me zgjedhjen e presidentit, nga ana e Kuvendit më 22 shkurt. “Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi që të shpallë Kërkesën të pranueshme dhe me shumice votash, me dy gjyqtarë mospajtues, shpall se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jokushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”,- thuhet në vendim. Por cilat janë pasojat reale të këtij vendimi, mbi mandatin e presidentit të zgjedhur më shumë se një muaj më parë, Bexhet Pacolli? Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se arsyetimin e plotë të Gjykatës do ta marrin të mërkurën, kur edhe pritet që të bëhet e ditur masa eventuale që do t’i kërkohet Kuvendit.“Meqë nuk po flasim për një akt të presidentit, nuk mund të bëhet fjalë për shkarkim, natyrisht. Këtu po flasim për një akt të Kuvendit. Ne duhet të presim nga Gjykata se çfarë mase i propozon Kuvendit. A i propozon rikthim në gjendjen e mëparshme, domethënë rikthim në gjendjen zero, para se ka filluar votimi; apo i propozon rivotim apo diçka tjetër”-thotë njëra nga deputetet e LDK-së, në një prononcim për radion “Evropa e Lirë”.“Vërtet është vështirë në këtë moment të paragjykohet, sepse nuk mund ta dimë ne. Unë besoj se Gjykata i ka bërë analizat e nevojshme dhe në bazë të asaj besoj që Kuvendi shumë shpejt do ta marrë edhe propozimin dhe si të tillë e ka për obligim që ta implementojë”,-shton Osmani. Çështja e vlerësimit të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së presidentit Bexhet Pacolli u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e opozitës, të iniciuar nga deputetët e LDK-së. “Është pak vështirë të dihet se çfarë mase do të kërkohet nga Kuvendi në këtë rast, meqë ju e dini se në praktikën tonë parlamentare, e as kushtetuese nuk kemi pasur një rast të ngjashëm më herët dhe nuk mund të paragjykojmë as në aspektin juridik e as politik se çka mund të ndodhë dhe cili mund të jetë hapi i ardhshëm. Na mbetet të gjithëve që ta presim arsyetimin e plotë të Gjykatës edhe masën që kërkohet të ndërmerret të mërkurën dikur pasdite besoj”, ka shpjeguar më tej Osmani, një nga deputetet nismëtare që çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë munguar reagimet nga Presidenca e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës

Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›