E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Do pastrojmë politikën nga persekutorët

Deputeti I PD-së, Aleksandër Biberaj, siguron që nga Tropoja se do të pastrohet politika nga persekutorët dhe ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit. Sipas tij dënimi i krimeve të komunizmit, si dhe pastrimi i politikës dhe shoqërisë shqiptare nga persekutorët, por edhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, është mirënjohja më e madhe që ne mund të tregojmë sot ndaj vuajtjeve dhe sakrificave të martirëve, ëndrrave dhe idealeve të tyre të prera në mes, si dhe respekti më i madh ndaj atyre të persekutuarve që jetojnë akoma. Z.Biberaj mori pjesë dje në ceremoninë e dhënies së martirit të demokracisë Mustafë Bajraktari, titullin ‘Qytetar Nderi’ pas vdekjes, nga Këshilli i Komunës Tropojë. Dhënia e titullit për Bajraktarin, i arrestuar në moshë të re nga regjimi komunist me akuzën "tentativë arratisje" dhe "agjitacion e propagandë", u miratua në mënyrë unanime nga të gjithë përfaqësuesit e forcave politike të Këshillit të Komunës të Tropojës, të cilët vendosën që në qendër të komunës të vendoset dhe busti i martirit, ndërsa sheshi do të mbajë emrin e tij. Mustafë Bajraktari vuante dënimin në burgun e Spaçit, kur arriti të arratisej nga minierat ku punonin të burgosurit politikë, por u kap nga forcat e sigurimit dhe mori nga gjykata dënimin e rëndë prej 25 vjetësh. Në vitin 1976, në moshën 28-vjeçare, kur vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit, ai u gjet i varur në qelinë e tij. Në ceremoninë e organizuar në nderim të martirit, ishte i pranishëm deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj, kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Adem Allçi, drejtues të PD-së dhe të partive të djathta, të afërm dhe bashkëvuajtës të z.Bajraktari, bir i familjes patriote të Bajraktarit të Shipshanit dhe Kasajve të Komunës së Tropojës. Z. Allçi, i cili ka vuajtur një pjesë të dënimit në burgun e Burrelit bashkë me z. Bajraktari, kërkoi ndër të tjera zbatimin e rezolutës së KE-së dhe të Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Pjesëmarrës në këtë takim shprehën përkrahjen për nismën e PD-së për dënimin e krimeve të komunizmit si dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Deputetit Biberaj pohoi se “jeta e z. Bajraktari, e prerë në lulen e rinisë nga xhelatët e regjimit komunist vetëm e vetëm sepse donte të jetonte në liri, është një ndër mijëra akuza për krimet monstruoze të kryera nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës, i klikës së tij, si dhe i të gjithë atyre që i shërbyen me zell diktaturës komuniste për karrierë dhe pushtet ".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›