Patozi: Fana, kandidat i PD-së për anëtar të KLD-së
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pohoi dje se PD-ja do të propozojë zyrtarisht kandidaturën e avokatit Neshat Fana për anëtar të KLD-së. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet të zyrtarizojë kërkesën për votimin në Parlament të avokatit Neshat Fana, si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nisma e demokratëve përkon me mbarimin e mandatit të anëtares së KLD-së, Pranvera Strakosha, një nga tre vendet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që emërohet nga Parlamenti. Kryetari i grupit të mazhorances, Astrit Patozi, konfirmoi dje se 28 firmat e deputetëve janë të përcaktuara në Rregulloren e Parlamentit për anëtarët e institucioneve kushtetuese që zgjidhen nga Kuvendi, siç është rasti i këtij vendi vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Neshat Fana është i njohur mes komunitetit të juristëve si avokati që deri tani ka fituar rreth 90 për qind të rasteve që ka mbrojtur në gjyq. Z.Fana mbahet mend si avokati i liderit të opozitës, Sali Berisha, në procesin e 14 shtatorit.