Meta: Paaftësia e qeverisë dhe e bashkisë po zhurit Tiranën për ujë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në daljet e tij publike shigjeton njëkohësisht edhe Kryeministrin Sali Berisha, edhe ish-aleatin e tij socialist, Edi Rama. Pasi i ka akuzuar për bashkëpunimet e tyre për ndryshimin e Kushtetutës, ai tashmë ka nisur t’i kritikojë për punën e tyre në krye të institucioneve përkatëse. Meta i quan ata fajtorë për problemet që ka Tirana sot. Edhe pse duket se faji kryesor bie mbi kreun e bashkisë, kreu i LSI-së nuk ka lënë jashtë akuzës dhe Kryeministrin. Gjatë një takimi me të rinjtë e kësaj partie në njësisë nr. 11, në zonën e Laprakës kryetari i LSI-së u ndal edhe të shqetësimet që po përjeton komuniteti i Laprakës dhe i gjithë vendi në lidhje me vështirësitë e përditshme që hasin dhe mungesat jetike, siç është uji i pijshëm. Meta u shpreh se “paaftësia e qeverisë dhe e bashkisë për të zgjidhur çështjen e Ujësjellësit, po zhurit Tiranën për ujë”. Gjithashtu kreu i LSI-së evidentoi edhe faktin se Tirana është zhytur edhe në një ndotje të jashtëzakonshme, ku për pasojë shkaktohen edhe raste të shumta të tumorit tek njerëzit”. Sipas tij, “është për të ardhur keq që Sali Berisha dhe Edi Rama merren vesh për të prishur Kushtetutën, merren vesh për t’i lidhur duart Presidentit të Republikës, por Edi Rama me Sali Berishën dhe me përfaqësuesin e Saliut këtu në komunitetin tuaj, nuk merren vesh për probleme më të mprehta që ka komuniteti juaj, që kanë banorët edhe qytetarët e kësaj zone”. Ndër të tjera, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përgënjeshtroi edhe lajmet për largimin e anëtarëve të LSI-së drejt Partisë Socialiste. Meta tha se “këto gënjeshtra për gjoja largime të anëtarëve nga LSI-ja në Gjirokastër apo në ndonjë qytet tjetër dalin me titra nga televizioni që vetë gazetarët që punojnë aty e thërrasin me emrin “TV Edi Neës”. Ndër të tjera, gjatë takimit me të rinjtë e Laprakës, Meta u shpreh se Partia Socialiste është larguar gjithnjë dhe më tepër nga qytetarët, duke harruar të mbrojë interesat e tyre.