E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama paralajmëron largimin nga Bashkia e Tiranës

Kreu i PS-së dhe njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës në mandatin e tretë ka paralajmëruar largimin para mbarimit të mandatit nga kjo bashki. Për të përmbushur një dëshirë të hershme për t’u bërë deputet ai ka vendosur të lërë bashkinë e të kërkojë një karrige parlamentare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai e ka bërë të ditur këtë dje në Asamblenë e partisë ku ka bërë me dije që do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, por jo në krye të saj. Kështu, për herë të parë, ai nuk ka përjashtuar veten nga dëshira për t’u bërë deputet dhe pse zgjedhjet mund të mbahen në një periudhë kur mandati i tij si kryebashkiak të mos ketë mbaruar. Ndërkaq në listën për t’u bërë deputetë nën siglën e PS-së në 2009-ën do të jenë emra të spikatur nëpër qarqe, jo ata që janë në krye të partisë. Ky ka qenë një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për deputetët aktualë të kësaj partie, të cilët rrezikojë rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme. Mesazhi u dha në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të partisë, e zhvendosur në Fier. “Unë nuk do të jem në krye të asnjë liste”, - mësohet të ketë thënë Rama. Ai ka shtuar se “në krye të tyre do të jenë figura të spikatura të qarqeve”. Çështja e listave ka bërë që ethet elektorale në këtë parti të nisin herët. Në programin e 6-mujorit të ardhshëm të kësaj partie pritet të përcaktohen kriteret për kandidatët e ardhshëm dhe më pas të nisë përpilimi i listave të emrave që do të përfaqësojnë PS-së në garën e 2009-ës. Sipas sistemit të ri elektoral nuk ka më kandidime të drejtpërdrejta në zonat zgjedhore, por lista të mbyllura nga të cilat dalin deputetët në bazë të votave të marra nga partia. Ndërkaq, dje Asambleja ka dhënë mbështetjen politike për Fatmir Xhafën, i cili është anëtar në komisionin e ri për reformën zgjedhore për miratimin e një kodi të ri zgjedhor. Megjithëse s’kishte sjellë në Asamble asnjë propozim konkret se si do të ndryshonte kodi, Xhafa ka kërkuar që të votohet për të. Ai ka pranuar se çdo gjë po bëhet me PD-në dhe se negociatat janë të vështira.

Thirrja e Ramës

Ndërkaq, kryesocialisti Rama ka kërkuar nga strukturat e partisë hartimin e draftit të ri të programit politik që pritet t’i paraqitet elektoratit në muajin shtator. Ai gjithashtu ka kërkuar forcimin e së majtës dhe pse marrëdhëniet në këtë kamp janë më të këqijat e mundshme. Sipas Ramës, e majta duhet të bashkohet drejt një politike të re. Kreu i PS-së, Edi Rama, në fjalën e tij në Asamble ka kërkuar hartimin e draftit të ri të programit politik që pritet t’i paraqitet elektoratit në muajin shtator. Rama ka kërkuar përkushtim të strukturave socialiste, sidomos në bazë dhe largimin nga politika e vjetër drejt politikës së re me të cilën PS-ja do të qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2009. Rama nuk ka kursyer kritikat në drejtim të qeverisë duke e quajtur atë të dështuar në të gjitha aspektet. “Qeveria Berisha ka dështuar, sidomos në infrastrukturë, në aspektin rrugor dhe në ekonomi. Në vendin tonë dominon importi, ndërsa prodhimi vendas nuk ka pasur stimulimin e duhur”, - tha Rama, duke shtuar se “kjo vjen si pasojë e politikave të gabuara ekonomike të qeverisë të cilat kanë qenë të dështuara dhe ineficente”.

Bojkot i kundërshtarëve të Ramës

PS-ja shuan dhe ato pak zëra kundër që kishin mbetur brenda saj dhe që bënin herë pas here oponencë ndaj kryetarit Edi Rama në forumet e partisë. Asambleja e djeshme e Partisë Socialiste ka qenë një ndër ato mbledhje ku përveç kreut të partisë, nuk është dëgjuar zëri i ndonjë socialisti tjetër. Kjo për faktin se dy nga kritizerët e rinj të Ramës në parti, Servet Pëllumbi dhe Erion Braçe, nuk kanë marrë fare pjesë në mbledhjen e këtij forumi, të cilin Rama e zhvendosi nga Tirana në Fier. Themeluesi i PS-së dhe një nga figurat më me zë brenda saj, Servet Pëllumbi, duket se nuk ka pasur më dëshirë të vazhdojë një “betejë të humbur” ndaj Ramës dhe politikës që ai po ndjek në krye të partisë. Në asamblenë paraardhëse ai e kritikoi atë për tezën e “politikës së re” duke i thënë që nuk mund të fshish atë çfarë ka bërë kjo parti ndër vite. Njëkohësisht, sipas tij, nuk mund të ketë politikë përtej së majtës dhe së djathtës, siç trumbeton Rama. E ndërkaq vetëm para pak ditësh ishte Erion Braçe i njohur më parë si bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës, e kritikoi publikisht atë për oponencë të dobët. Madje ai nuk nguroi ta akuzonte se po flinte gjumë dhe nuk po reagonte ndaj mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›