Berisha: Tirana dhe Vlora, më shumë para nga buxheti
Qeveria përgënjeshtroi dje një të përditshme sipas së cilës z.Berisha nuk u akordon lekë nga buxheti i shtetit qytetit të Tiranës dhe qytetit të Vlorës. Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, bëri dje të ditur se Tirana dhe Vlora janë dy rrethet, të cilat kanë marrë më shumë para nga qeveria qendrore. Në Vlorë dhe në Qarkun e saj janë mbi 420 milionë dollarë investime të realizuara ose në realizim e sipër gjatë tre viteve të fundit. Vetëm në ujësjellës dhe në energji, Vlora ka marrë buxhet për investimet më të mëdha të 20 viteve të fundit. Investimet në Vlorë janë njohur dhe vlerësuar nga qeveria vendore dhe nga qytetarët e saj dhe nuk mund t`i errësojë ato politika e re e trillimeve. Ndërsa qytetit të Tiranës qeveria i ka akorduar në këto vite shumat më të mëdha të buxhetit. Qytetit të Tiranës i janë dhënë kredi prej150 milionë dollarësh nga të cilat kredia japoneze që iu dha Kryeministrit të Shqipërisë, z. Berisha nga Kryeministri i Japonisë z. Fokuda gjatë vizitës së tij zyrtare në Japoni. Kjo kredi u miratua dy javë më parë nga qeveria dhe do të shërbejë për sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza të Tiranës. Gjithashtu, është miratuar kredia për Unazën e Madhe me një garanci sovrane nga qeveria qendrore.