E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Negociatat, Marku dhe Xhepa në FRD

TIRANE - Aleksandër Biberaj, njëri prej anëtarëve të grupit nismëtar të FRD-së konfirmon bisedimet me dy deputetët kritikë të PD-së, Mark Marku dhe Selami Xhepa, për t'iu bashkuar FRD-së. Në këtë intervistë për "Gazeta Shqiptare", ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj thotë se FRD është e hapur ndaj çdo demokrati të ndershëm, ndërsa vlerëson z.Marku dhe z.Xhepa si dy figura intelektuale të PD-së, ndryshe nga të tjerët që vazhdojnë të bëjnë sehir në këtë parti. Biberaj akuzon lidershipin e PD-së për diktat të partisë në pushtet, ndërsa shprehet se strukturat e kësaj partie nuk ekzistojnë, duke përjashtuar çdo lloj aleance, sipas tij, me klikën aktuale të PD-së.
Z.Biberaj, pas regjistrimit në gjykatë, si po rritet politikisht FRD-ja?
Regjistrimi në gjykatë me rreth 12.000 anëtarë themelues, përgatitja e projekt-statutit dhe e programit politik minimal ishte aksioni i parë politik pas shpalljes se FRD-së, ndërkohë që numri i anëtarësimeve ka kaluar 15.000 dhe tani jemi përqendruar më shumë në organizimin e FRD-së në të gjitha nivelet dhe me shtrirje në të gjithë Republikën. Konk-retisht sot (dje), hapim degën e FRD-së për Elbasanin. Ky aksion politik me karakter organizativ do të vazhdojë pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së verës, deri në shtator. Kuptohet që për FRD-në nuk ka pushime, për të kaluar pastaj në shtator, në një stad tjetër të organizimit të FRD-së.
Kohët e fundit janë shtuar kritikët brenda PD-së, por asnjëri prej tyre nuk po rreshtohet me FRD-në siç u pretendua në fillimet e FRD-së. Pse ky ngurrim, sipas jush?
E para, mendoj se duhet të bëjmë një ndarje të qartë ndërmjet lidershipit të PD-së dhe pjesës tjetër të PD-së, që janë strukturat dhe baza e PD-së, - anëtarët dhe simpatizantët. Nga pikëpamja strukturore, ka kohë që PD nuk ekziston, pasi nuk funksionon asnjë forum apo strukturë, me përjashtim të kryetarit dhe të klikës që e rrethon. Strukturat janë inekzistente; anëtarët dhe simpatizantët e PD-së nuk pyeten për asgjë. Me këtë pjesë, që është edhe pjesa e shëndoshë, pjesa më vitale por edhe kryesore e PD-së, ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe ata që nga 30 prilli po vijnë nga gjithë Shqipëria çdo ditë në FRD, dhe janë me mijëra. Fatkeqësisht dhe padrejtësisht sot PD-ja është marrë peng nga një klikë e kalbur, totalisht e korruptuar, antipopullore dhe antikombëtare, klikë që drejtohet dhe dirigjohet nga Sali Berisha, klikë që ka marrë peng PD-në për interesat e tyre dhe të mafies, klikë që është shkëputur nga populli, realiteti dhe baza e PD-së. Me këtë klikë as nuk bëhet fjalë që ne të kemi bashkëpunim; bashkëpunimi ynë është me demokratët e vërtetë që na besojnë, ndërkohë që ne i vlerësojmë dhe i respektojmë. Lidhur me kritikat, do të thoja se është për t'u përshëndetur dhe për t'u vlerësuar çdo kritikë që vjen nga ajo që ka mbetur nga PD-ja, nga rrënojat e vjetruara të anijes që po mbytet, pavarësisht nivelit apo drejtimit nga vijnë këto kritika.
Kritikat e forcojnë një parti...
Prej kohësh në PD ka pasur kritika. Kujtoj memorandumin e z.Besnik Mustafaj në mbledhjen e vetme që nga viti 2009 të Këshillit Kombëtar të PD-së, janarin e vitit të kaluar, që u mbështet vetëm nga z.Oketa, kritikat e Profesor Omer Stringës apo qëndrimin e z. Leonard Demi për ligjin e SHISH-it, por që fatkeqësisht këto kritika nuk u mbështetën nga kolegë të tjerë që vazhdojnë të bëjnë sehir në PD. Gjithsesi, kurrë nuk është vonë për të kritikuar një regjim të kalbur që po rrëshqet çdo ditë poshtë e më poshtë, dhe për të bërë divorc me një klikë uzurpatore që ka marrë peng vendin.
FRD, është e hapur ndaj këtyre kritikëve?
Siç kemi deklaruar që nga 30 prilli, FRD është dhe mbetet parti e hapur për të gjithë ata demokratë të ndershëm, qytetarë dhe patriotë, pavarësisht nëse janë deputetë apo anëtarë të thjeshtë të PD-së, që marrin guximin dhe shkëputen nga klika në pushtet duke mos i shërbyer më asaj. Se kur shkëputen e dinë ata, pasi kjo është dhe mbetet vendimmarrje personale, por do të thoja se sa më shpejt aq më mirë edhe për ata vetë, edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi vjen një moment që nuk do të ketë më vlerë. Për një politikan do të thoja se është shumë i rëndësishëm momenti dhe faktori kohë, pasi politikani bëhet edhe pa dashje bashkëfajtor dhe merr kosto politike dhe morale për gjithë jetën, duke mbështetur një regjim antipopullor dhe antikombëtar, pavarësisht presionit, shantazhit, kërcënimeve apo interesave. Arritën ta kuptojnë edhe ish-bashkëpunëtorët e Asadit, dhe po e braktisin çdo ditë. Trimëria pas lufte dhe e folura pas kuvendit, nuk kanë asnjë vlerë.
Gjithsesi, si i konsideroni kritikat e dy deputetëve të PD-së, Mark Marku dhe Selami Xhepa?
Njihem prej vitesh me të dy, pasi jemi i njëjti brez dhe vijmë nga fryma e dhjetorit '90-të. Për ta kam vlerësim pozitiv dhe gjykoj se nuk kanë kosto dhe konsum nga pushteti, pasi nuk kanë qenë pjesë e ekzekutivit. Kanë format intelektual, dhe në dallim nga shumë deputetë të tjerë zotërinjtë akoma vazhdojnë të lexojnë, shkruajnë, mendojnë dhe është pozitive që edhe kanë filluar të flasin hapur dhe publikisht, komponentë intelektualë këto që Sali Berisha dhe klika që e rrethon i kanë tmerr, pasi sapo ta kuptojnë se deputeti lexon, shkruan, mendon dhe guxon të flasë jo siç iu pëlqen atyre, ata të penalizojnë direkt politikisht, për aq kohë sa s'kanë mundësi të të dënojnë politikisht me burgosje apo internime politike, siç kanë bërë para vi-teve '90-të, siç do të bënin edhe tani po të mos kishim përmbysur re-gjimin komunist në dhjetor të vitit '90-të. Po të kthehemi tek kritikat, do të thoja se ato janë parimore dhe kryesorja, të gjitha çfarë kanë thënë kolegët janë absolutisht të vërteta.
A pretendon FRD që t'i bëjë deputetë të saj edhe Markun dhe Xhepën; konkretisht, a ka pasur bisedime me ta me qëllim bashkëngjitjen me FRD-në?
Kemi biseduar dhe po bisedojmë si kolegë, gjithçka në rrafshin parimor, aq më tepër që na lidh edhe jeta akademike, universitare.
Po për sa u përket deputetëve të tjerë të PD-së, a ka pasur tratativa për një bashkëpunim me FRD-në?
Kemi shumë mesazhe inkurajimi.
FRD ka deklaruar se së shpejti në radhët e saj do të vijnë edhe të zgjedhur të qeverisjes vendore të PD-së. Cilat janë lëvizjet konkrete në këtë rast?
Kjo i përket një faze të mëvonshme, nga vjeshta.
Presidenti Bamir Topi, në intervis-tën e fundit televizive kishte zbutur tonet kritike ndaj PD-së. Çfarë po ndo-dh brenda FRD-së në raport me aleancat e reja?
Nuk e kam parasysh referencën tuaj mediatike dhe gjykoj se për sqarime më të hollësishme mund ta pyesni vetë z. Topi, i cili ka deklaruar se deri më 24 korrik është President i Republikës; pas 24 korrikut është histori tjetër pastaj, këtu do të jemi. Lidhur me aleancat është shpejt për të folur, gjithsesi, aleanca më e madhe do të bëhet me qytetarët shqiptarë, për të ndryshuar këtë realitet të deformuar nga partitë e vjetruara.
Është i mundur bashkëpunimi me PD-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Po me PS-në?
Detyrohem të përsëris qëndrimin tonë, se nuk bashkëpunojmë me kupolat e kalbura as të PD-së, as të PS-së dhe as të LSI-së. Bashkëpunimi ynë më i madh do të jetë me qytetarët shqiptarë, me synimin që në vitin 2013 FRD të jetë forcë kryesore, faktor i rëndësishëm në jetën politike shqiptare.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›