Biberaj: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e domosdoshme”
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, e ka konsideruar të domosdoshëm qëndrimin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Sipas Biberajt, prezenca e OSBE-së bëhet e tillë pasi Shqipëria vazhdon të ketë probleme për arritjen e standardeve të kërkuara për proceset zgjedhore. Biberaj duket se e konsideron të mbyllur kapitullin e përplasjes midis qeverisë dhe OSBE-së, teksa hedh poshtë çdo mundësi për largimin e saj nga Shqipëria.
“OSBE-ja ka luajtur një rol shumë pozitiv në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së trazicionit, gjë që është për t’u përshëndetur. Një nga detyrat e saj është misioni vëzhgues për zgjedhjet, gjë të cilën ajo e ka bërë shumë mirë në Shqipëri”, - tha deputeti i Partisë Demokratike. Biberaj e cilësoi të parakohshëm debatin për largimin e prezencës së OSBE-së nga vendi ynë.
“Është mëse normale që të këtë opinione dhe këto të jenë të ndryshme, por unë nuk mendoj që janë pjekur kushtet që OSBE-ja të largohet nga Shqipëria, sepse deri sot Shqipëria nuk ka pasur zgjedhje të ndershme e të qeta”, - vijoi deputeti i Partisë Demokratike. Ai shprehu bindjen se në zgjedhjet e vitit 2009 Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. ”Unë uroj që zgjedhjet e vitit 2009 të jenë të lira dhe të ndershme, me qëllim që Shqipëria të shkëputet nga zgjedhjet e kontestuara. Në momentin që ky vend shkëputet nga këto zgjedhje të kontestuara, mund të rishikohet statusi i OSBE-së. Zërat për largimin e OSBE-së do t’i quaja zëra spontanë të ardhur nga politikanë të partive të ndryshme. Mendoj se qëndrimi i partive të mëdha ka qenë korrekt”, - deklaroi deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. Dy ditë më parë OSBE-ja reagoi pas debateve më të fundit në lidhje me praninë e saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe se ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - thuhet në reagimin e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja ka përcjellë për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu thekson se OSBE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar.
6 Gusht 2008