E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: “Shqipëria në BE vetëm pas vitit 2015”

Analiza e gazetarëve të BBC-së parashikon proces të vonë integrues. Situata është jopremtuese edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Procesi integrues i Shqipërisë do të shoqërohet nga vonesa të konsiderueshme. Vendi ynë nuk pritet të hyjë në Bashkimin Europian para vitit 2015. Për Bashkimin Europian Shqipëria po ecën shumë ngadalë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një gjë e tillë është konstatuar nga rrjeti mediatik i famshëm “BBC”, në shkrimin e të cilit “Zgjerimi i BE-së, e kaluara dhe e ardhmja”, konstatohen problemet që po has Shqipëria për të realizuar procesin e integrimit në bashkimin Europian. Në këtë shkrim analizohet gjithashtu edhe ecuria integruese e 6 vendeve të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të integrohen në Bashkimin Europian, si Serbia, Kroacia, Maqedonia, Turqia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Ndërsa për Kroacinë dhe Turqinë, të cilët kanë nisur bisedimet më 3 tetor të 2005, tashmë ka një datë se kur mund të hyjnë në BE (Turqia mund të hyjë në BE brenda 15 vitesh, ndërsa Kroacia brenda 5 vitesh), për vendet e Ballkanit, Bashkimi Europian ka paralajmëruar se do të nisin bisedimet vetëm nëse plotësojnë kriteret, ku përfshihet demokracia, respektimin e ligjit, ekonomia e tregut dhe aderimin e kritereve ekonomike dhe politike të Bashkimit Europian.
Shqipëria
“Shqipëria nuk pritet që të hyjë në BE të paktën parapara 2015-s. Ajo ende nuk ka aplikuar për anëtarësimin e saj. Shqipëria dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit, si hapi i parë drejt anëtarësimit, në qershor të 2006-s. Negociatat u realizuan brenda një kohe prej 3 vjet e gjysmë, tri herë më shumë sesa nënshkrimi i MSA-së me Kroacinë dhe Maqedoninë. Kjo pasi BE-ja mendon se Shqipëria po ecën shumë ngadalë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - thuhet në raportin për Shqipërinë.
Bosnjë-Hercegovina
Po kështu dhe Bosnjë- Hercegovina nuk pritet të hyjë në BE përpara 2015-s. Bashkimi Europian nënshkroi MSA-në me Bosnjë-Hercegovinën në qershor të 2008-s, pikërisht 13 vjet pas luftës. BE-ja është e kënaqur me progresin e arritur në këto 4 vitet e fundit - reforma në Polici, bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe reforma në administratën publike.
Kroacia
Kroacia aplikoi si kandidate për anëtare e BE-së në shkurt të 2003-shit. Një vit më vonë, në qershor të 2004-s, BE-ja pranoi kandidimin e saj, ndërsa negociatat nisën në tetor të 2005-s. Bisedimet për hyrjen në Bashkimin Europian u shtynë për 7 muaj, pasi Kroacia arrestoi të kërkuarin nga Gjykata e Hagës, gjeneralin Ante Gotovina. Kroacia pritet të jetë pjesë e Bashkimit Europian në fund të 2010-s. Por kjo mund të shtyhet nëse shtyhen reformat institucionale sipas Marrëveshjes së Lisbonës. BE-ja i bën thirrje Kroacisë të reformojë administratën publike dhe juridike dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Hagën.
Maqedonia
Maqedonia aplikoi për të hyrë në BE në mars të vitit 2004. Bashkimi Europian e pranoi kandidimin në dhjetor të 2005-s. Shpresat se bisedimet për anëtarësimin në BE do të fillonin këtë vit janë të vakëta për shkak të dhunës në zgjedhjet e qershorit dhe të bojkotit që partitë opozitare shqiptare po i bëjnë Parlamentit. Po kështu, një problem tjetër kyç është dhe çështja e emrit. Greqia vazhdon të insistojë që “Maqedonia” të quhet vetëm rajoni në veri të Greqisë. Ndërkohë që 2012-a është sugjeruar si një vit i mundshëm që Maqedonia do të hyjë në BE.
Mali i Zi
Mali i Zi e firmosi MSA-së në tetor të 2007-s dhe tani ajo duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. I duhen disa vite që Mali i Zi të fitojë statusin e kandidates për në BE. Megjithatë, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, thotë se ai shpreson se vendi i tij do të hyjë në BE përpara Serbisë dhe Maqedonisë.
Serbia
Pas arrestimit të liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, Serbisë i mbetet dhe arrestimi i gjeneralit Ratko Mlladiç. Bashkëpunimi i Beogradit me Gjykatën e Hagës është një ndër kriteret kryesore që Serbia të hyjë në BE, dhe që e mbajti atë të izoluar për vite me radhë. Serbia synon që më parë të arrijë marrëveshjen tregtare me BE-në dhe më pas një mundësi për të diskutuar në detaje për reformat e politiko ekonomike që duhen për të hyrë në BE. Serbia e firmosi MSA-në në prill të 2008-s, por ende nuk është ratifikuar. Po kështu, çështje kyçe mbetet dhe pozicioni i Serbisë ndaj Kosovës. Disa vende të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa Serbia insiston që Kosova të mbetet në integritetin e saj territorial. Edhe Serbia ka të ngjarë që të hyjë në BE të paktën jo para 2015-s.

Turqia
Turqia i plotësoi kriteret për hyrjen në BE në korrik të 2005-s, kur ajo unifikoi bashkimin e doganave për të gjitha vendet e BE-së, përfshi këtu dhe Qipron. Por dështoi në momentin kur mbylli portet dhe aeroportet për Qipron. Në dhjetor të 2006-s, BE-ja ngriu bisedimet me Turqinë. Negociatat Turqi-BE kanë ecur ngadalë për shkak dhe tensionit me Qipron. Por Turqia nuk mund të ketë një impakt të ri nëse rinis bisedimet e paqes me Qipron dhe Gjykata Kushtetuese e Turqisë vendosi të mos e ndalonte partinë e AK-së në pushtet. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe anëtarë të tjerë të BE-së duan që me Turqinë të kenë më shumë një marrëdhënie partnershipi sesa një anëtarësim të plotë në BE.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›