Ndryshon metodika që përcakton çmimin e pronave
Eljona Ballhysa
Një grup ndërministror ka nisur punën për rishikimin e metodikës që përcakton vlerën e çmimit të tokave. Nëndrejtori i Agjencisë së Pronave, Genci Çelo, bëri të ditur për gazetën “Albania” se grupi i ekspertëve ka marrë në shqyrtim metodikën e çmimit të tokave duke u përpjekur të bëjë korrigjime në ato zona ku çmimi i tokave është vendosur në mungesë të informacionit, ose më lart se vlera reale e çmimit të tregut, ose me ulët se kjo vlerë.
Ndryshimet
Rishikimi i hartës së çmimit të pronës ka lindur si nevojë e diferencës së thellë të çmimeve në zona të ndryshme, por edhe të rëndësisë që marrin disa zona për shkak të investimeve publike. Harta e çmimit të tokës merr një rëndësi të veçantë në procesin e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Sipas Çelos, grupi i ekspertëve po shikon parregullsitë në përcaktimin e çmimeve në zona të caktuara. “Unë jam teknik në këtë komision. Natyrisht, për të bërë një punë paraprake është rishikuar metodika dhe zbatimi i asaj metodike dhe tani po shikohen ato probleme dhe po merremi me rregullimin e atyre anomalive që janë në përcaktim. Natyrisht që përcaktimi i anomalive nuk mund të bëhet nëse nuk ka disa vlera të dhëna, pra ajo punë vlen për t’u orientuar të gjithë për korrigjimet e nevojshme. E para, këto korrigjime vijnë nga mungesa e informacionit që ka rezultuar dhe po mundohemi ta plotësojmë atë. Informacion të munguar përsa u përket tokave bujqësore, trojeve dhe zonave të tjera. Dhe e dyta, do të mundohemi të vijmë sa më afër asaj që përcakton ligji, vlerës së tregut, sepse në disa raste ka pasur mendime që vlerat e dhëna nga kjo hartë e miratuar nuk janë vlera tregu dhe po rishikohet që të dalim në këto vlera tregu”, - është shprehur Çelo. Ai ka bërë të ditur se pas rishikimit të metodikës, ndryshimet që do t’i bëhen asaj do të sjellin në disa zona rritje të çmimit të tokës dhe në disa të tjera ulje. “Do të ketë ndryshime duke shkuar drejt asaj që quhet vlera e tregut”, - është shprehur Çelo.
Problematika
Nga ana tjetër mësohet se rishikimi i hartës është bërë dhe për shkak se duke u bazuar në metodikë vlera e zonave industriale del shumë herë më e lartë nga ajo që është realisht në tregun vendas. Ndaj dhe ekspertët kanë menduar se është e nevojshme që të ketë ripërshtatje të situatës. Për të përcaktuar vlerat e reja të trojeve ekspertët duhet të analizojnë të gjithë treguesit e lejeve të ndërtimit të dhëna nga viti 2001 e në vijim. Po kështu duhet marrë parasysh çmimi i shitjes së banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, si dhe të dhënat fiskale nga drejtoritë e tatim taksave, si dhe çmime që vijnë nga tregu i lirë nga agjencitë imobiliare. Pas mbledhjes së informacionit nga të gjitha institucionet e lartpërmendura operohet me çmimin mesatar.
6 Gusht 2008