Berisha: “Metodika e çmimit të trojeve është jo realiste”
Kryeministri Sali Berisha është shprehur gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë se metodika aktuale që përcakton vlerën e çmimit të trojeve në vend është jo realiste. Sipas Berishës, kjo metodikë duhet të ndryshojë për t’i dhënë fund absurditetit në përcaktimin e çmimit të pronës. Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë miratimit të vendimit për përcaktimin e mënyrës së vlerësimit të trojeve që jepen për ndërtime. “Shpresoj që ky vendim t’i japë fund falsitetit të jashtëzakonshëm që ekziston, absurditetit në hartën e çmimeve, që buron nga një metodikë tërësisht jo realiste. Unë dua t’i njoh qytetarët se kjo është bërë e domosdoshme, se p.sh. toka në Kamzë, sipas kësaj metodike, del 5 herë më e lirë se toka në Tropojë, apo 10 herë më e lirë se në Peshkopi. Të jemi realistë se përsa i përket vlerës së tokës, tregu i Tiranës, në raport me tregun e Tropojës apo të Peshkopisë, është me dallime shumë të mëdha. Për këtë vendim është bërë një punë shumë e mirë dhe mbi bazën e një hetimi të gjerë janë përafruar këto çmime. Është shumë e rëndësishme që ato të sillen drejt normalitetit, se ky faktor ka bllokuar tregun e tokës”, - është shprehur Berisha.
6 Gusht 2008