Shpërthimi i Gërdecit, ndër më të rëndët dhe më tragjikët në botë
Tragjedia e Gërdecit renditet mes 137 incidenteve që Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për Çminimet ka publikuar në raportin e tij. Në raportin “Depot e rrezikshme” është përpiluar lista me aksidentet më të rënda të shkaktuara si pasojë e municioneve të vjetruara. Koloneli i Ushtrisë amerikane dhe ish-kreu Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për Çminimet, George Zahaczewsky, ka përpiluar një listë me aksidentet më të rënda të shkaktuara si pasojë e municioneve të vjetruara.
Në këtë raport përmenden 137 incidente, mes të cilave edhe ai i Gërdecit, ku humbën jetën 26 veta, u plagosën me shumë se 300 të tjerë, si dhe u shkatërruan shumë shtëpi. Sipas këtij raporti, faktor për këtë incident të rëndë ishin municionet e vjetruara, paketimi i keq dhe mos mirëmbajtja e tyre. Në këtë raport Shqipëria përmendet sërish për incidentet e marsit të vitit 1997 në 15 qytete, ku si pasojë e gabimeve njerëzore dhe masave të dobëta të sigurisë u shkaktuan shpërthime që u morën jetën 59 personave. Kjo bëri që NATO-ja të nisë një program trajnimi të Forcave të Armatosura Shqiptare për pastrimin e armatimeve të paplasura. Shpërthime katastrofike në depot e municioneve kanë ndodhur edhe në zona të tjera të populluara në botë, si Uzbekistan dhe Bullgari. Ato pasojnë incidente të rënda të ndodhura gjatë viteve. Këto depo të rrezikshme, në të cilat ndodhen municione mjaft të vjetruara dhe të paketuara keq, mund të shkaktojnë çdo vit më shumë viktima sesa zonat e minuara apo mbetjet eksplozive të Luftën së Dytë Botërore. Tre incidente të tilla ndodhën vetëm këtë vit në Shqipëri, Uzbekistan dhe Bullgari, ndërkohë që më 29 dhjetor të vitit 2007 nga gjashtë shpërthime të ngjashme në Kolumbi vdiqën dy veta dhe u plagosën shtatë të tjerë. Shpërthime në depot e armatimeve kanë ndodhur edhe në Siri, Republikën Demokratike të Kongos, Sudan, Mozambik e Serbi.
Konstatimi i Uidhersit
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, është shprehur se zona e Gërdecit vazhdon të mbetet e rrezikshme dhe pa siguri për jetën e familjeve që jetojnë pranë materialeve ushtarake. Këtë deklaratë diplomati amerikan e bëri gjatë një vizite që zhvilloi në Gërdec me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Gjatë kësaj vizite ambasadori Uidheres dëgjoi shpjegime nga përfaqësues ushtarakë shqiptarë dhe përfaqësues të kompanisë amerikane “EOD” mbi statusin e operacionit të pastrimit. Ai gjithashtu zhvilloi takim me banorë të zonës, të cilëve u shprehu shqetësimin për sigurinë e atyre që kthehen dhe jetojnë shumë pranë zonës së sigurisë. “Unë mendoj se kjo zonë nuk është ende e sigurt dhe mendoj se ndërtesa jote kaq afër përbën rrezik”. Kështu i është drejtuar një banori ambasadori amerikan.
Banorët
Ndërsa banorët e Gërdecit, duke iu drejtuar dhe ministrit Oketa, janë shprehur se kanë marrë garanci nga qeveria për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Por dhe ministri Oketa është gjendur në vështirësi për të dhënë një përgjigje të prerë për sigurinë apo rrezikshmërinë që paraqet zona e Gërdecit. Kjo për faktin se ekspertët shqiptarë dhe amerikanë që operojnë në Gërdec ndajnë mendime të ndryshme mbi situatën në këtë zonë. Kështu, ushtarakët shqiptarë mendojnë se zona është e sigurt, ndërsa përfaqësuesi i kompanisë amerikane “EOD” është shprehur dje se zona paraqet rrezikshmëri për banorët. “Këto janë materiale të rrezikshme dhe duhet të largohen menjëherë nga zona dhe të pastrohen. Këto municione janë përfshirë në një shpërthim i cili ka ndryshuar dhe lëndën e tyre kimike, ndaj përbëjnë rrezik”, - është shprehur ushtaraku amerikan në prani të ambasadorit Uidhers dhe ministrit të Mbrojtjes, Oketa. Ky i fundit garantoi banorët e Gërdecit se nuk do të ketë shpërthim tjetër në këtë zonë. “Përsa i takon Gërdecit, është deklaruar se ekziston një rrezik. Ka opinione të ndryshme teknike. Unë nuk mund të hyjë në diskutime teknike, por jam i vendosur të zbatoj masat e sigurisë. Unë garantoj se këtu s’ka shpërthime të tjera”, - është shprehur Oketa.
6 Gusht 2008