E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Rama përplasen për autorësinë e investimeve në komunat e Tiranës



Kryeministri Berisha dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, janë përplasur sërish dje për autorësinë e investimeve publike të bëra në kryeqytet. Ndërsa ka marrë pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve për projektin e sistemimit të kanalizimeve të ujërave të zeza të zonës së Bregut të Lumit, Berisha i ka kujtuar Edi Ramës se këto investime janë bërë nga qeveria që ai drejton. “Dua t’i rikujtoj kryetarit aktual me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, zotit Rama, por në radhë të parë dua të informoj qytetarët e Tiranës se në këto 3 vjet, fondet që qeveria ime ka siguruar për Tiranën janë 240 milionë dollarë, 20 miliardë lekë”, - është shprehur Berisha. Po gjatë ditës së djeshme ka reaguar kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Ndërsa ka marrë pjesë në fillimin e punimeve për rehabilitimin e rrugës “Sadik Petrela”, Rama është shprehur se kryeministri Berisha ka ndërmarrë tur për të bërë të tijat punët e tjerëve. “Besoj që ishte rasti që kryeministri të ishte këtu dhe të mos kuturisej pas një kanali ujërash të zeza, sepse mbeti duke shkuar pas komunave e bashkive për të marrë ndonjë punë mbi vete, sepse punët qeveritare e shikoni të gjithë vetë si po shkojnë, e ka marrë ferra uratën”, - është shprehur Rama. Një fjalor i tillë midis dy kundërshtarëve politikë duket se i ngjan më së shumti mesit të një fushatë elektorale, megjithëse kjo nuk pranohet nga palët.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›