Biberaj: SHBA-ja mbetet partneri kryesor i BE-së
Kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, njëkohësisht zv.president i kësaj Asambleje, deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër, Biberaj, në takimin e Komitetit Politik të KE-së u shpreh se SHBA-ja mbetet partneri kryesor i BE-së. Në fjalën e tij Biberaj tha se marrëdhëniet e BE-së dhe SHBA-së me Rusinë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Debati kryesor që ka shoqëruar takimin e Komitetit Politik të KE-së në Paris, ashtu edhe atë të Komisionit të Monitorimit të KE-së, ka qenë ai rreth konfliktit Rusi-Gjeorgji, si dhe pasojat që mund të ketë ky konflikt për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Debati ka përfshirë edhe pasojat që mund të ketë konflikti Rusi-Gjergji në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe BE-së, si dhe ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së. Ndër të tjera, janë shprehur dhe opinione, kryesisht nga deputetë të majtë apo nga deputetë që vijnë nga ish-vendet komuniste, të cilët kanë kërkuar kufizimin e rolit të SHBA-së në Evropë, duke paraqitur Rusinë si partner kryesor të BE-së dhe jo SHBA-në. Biberaj ka kujtuar kontributin amerikan në rrëzimin e komunizmit dhe rivendosjen e demokracisë në vendet e Evropës Juglindore si dhe ndihmën e dhënë nga SHBA-ja për këto vende në tranzicion (përfshirë edhe Rusinë) për rimëkëmbjen ekonomike dhe ecurinë e reformave politike, me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë, si dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.