Manjani: Projekti për gjyqësorin prek pavarësinë e tij
Projektligji i qeverisë për Administratën Gjyqësore, krijon reagime të shumëllojshme prej zyrtarëve të selisë rozë. Pas komunikimeve të ndryshme nga personalitete të PS-së, dje, në një deklaratë për shtyp, z. Ylli Manjani, kryetar i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës pranë kësaj partie, u shpreh se “projektligji për Administratën Gjyqësore cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe lë qytetarët pa shërbim gjyqësor”. Pa dhënë argumente të fuqishme dhe fakte që të provojnë këto deklarata, ai e cilësoi këtë reformë si “një tentativë për të legjitimuar ndërhyrjen e politikës mbi pushtetin gjyqësor... dhe se Sali Berisha e qeveria e tij nuk duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të qenësishme, të thella dhe të plota, e jo për “arna” në formën e nismave gjysmake, të cunguara profesionalisht dhe të papranueshme parimisht, siç është edhe ky projektligj. Gjithmonë sipas tij, vizioni i PS-së për reformën e sistemit të drejtësisë dhe për integrimin e shtetit shqiptar drejt hapësirës së vendeve të BE-së, nuk përputhet me qeverinë aktuale dhe me Kryeministrin të cilin z. Manjani e kualifikoi si “të paaftë dhe të papërgjegjshëm në kurriz të shtetit e të shqiptarëve”. Gjithashtu, PS-ja dëshiron të vërë në dukje se popullata ka nevojë për “një administratë gjyqësore të mirëfilltë në shërbim të publikut e të gjykatës”.