E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, garanci nga Holanda për Protokollin e NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, priti ditën e djeshme ambasadorin e ri të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Hendrik Gerrit Cornelis van den Dool nga ku mori garancinë se Holanda do të ratifikojë me shpejtësi Protokollin e Anëtarësimit në NATO të Shqipërisë. Ministri Basha e uroi ambasadorin e ri me rastin e marrjes së detyrës së tij si ambasador i Holandës në Shqipëri si dhe nënvizoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Të dyja palët shprehën besimin në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushat e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë për të dy vendet. Ministri Basha, pasi njohu ambasadorin Van den Dool mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare me qëllim zhvillimin e vendit dhe përshpejtimin e proceseve integruese drejt NATO-s dhe BE-së, nënvizoi kontributin e çmuar që Holanda ka dhënë dhe vazhdon të japë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane e euroatlantike. Ambasadori Van den Dool siguroi ministrin Basha për vazhdimësinë dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë ushtrimit të detyrës së tij diplomatike dhe vlerësoi procesin e zhvillimit të reformave, duke shprehur bindjen se këto reforma dhe progresi i bërë nga vendi ynë gjatë viteve të fundit do ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit të shpejtë në familjen evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›