E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Të hetohet gjenocidi serb në Kosovë, në ‘90-‘99

Shqipëria kërkon hetimin e gjenocidit serb ndaj krimeve të luftës në Kosovë në vitet 1990-1999. Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, pjesë e një delegacioni të KE-së, që ditët e fundit vizitoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kërkoi që "OKB të hetojë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10000 kosovarë, si dhe rezultojnë ende edhe sot me mijëra të zhdukur". Në një komunikatë për shtyp, Biberaj sqaroi se "gjatë takimit me Francis Deng, këshilltar special për Çështjet e Gjenocidit dhe të Krimeve Masive u diskutuan rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si gjenocide. Një vend të veçantë në bisedë zuri edhe Ballkani me luftërat e tij, gjatë viteve 1990-1999".

Duke u përqendruar te Ballkani, Biberaj u fokusua dhe te masakra e Srebenicës, si një rast i pastër gjenocidi, si dhe te gjenocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe.

Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së pati me Jorge Urbina, kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në këtë takim u diskutua kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj, si dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj. Biberaj mbështeti idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj. Delegacioni i KE-së zhvilloi takime dhe me Alain Le Roy, nënsekretar i përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, John Holmes, nënsekretar i përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Emergjencat, Eva Busza, nga kabineti i sekretarit të përgjithshëm, si dhe znj. Jane Holl Lute, asistente e sekretarit të përgjithshëm. Në qendër të takimeve ishin probleme të ndryshme që shqetësojnë aktualisht OKB-në dhe KE-në.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›