E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: KOP-i ishte një dështim

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike të Tiranës, ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj, duke shtruar platformën politike që do të paraqesë në fushatë, thekson se PD duhet të heqë dorë nga përvojat që kanë rezultuar jo të suksesshme, siç është edhe Komiteti i Orientimit të Politikave. Në një prononcim për "Shqip", Mustafaj thekson se është duke vazhduar fushatën dhe duke përqendruar të gjitha energjitë për të bërë një lobing të fuqishëm, jo vetëm në kampin blu, por edhe te komuniteti ndërkombëtar. Deputeti Mustafaj thekson se është duke hartuar platformën e tij elektorale, duke bashkëbiseduar me faktorë të rëndësishëm të politikës aktive dhe trupit diplomatik në Tiranë.

Zgjedhjet në PD-në e Tiranës, duket se janë çelësi i zgjidhjes së 1001 problemeve brenda Partisë Demokratike, që nis me influencën e delegatëve dhe përfundon me një renditje të pëlqyeshme në listat e kandidatëve.

Zgjedhjet

Rritet temperatura politike në kampin blu për zgjedhjet brenda partisë. Lufta mes të rinjve dhe veteranëve të PD-së do të jetë në fokusin e vëmendjes përgjatë shtatë muajve, ku çelësi i gjithë kësaj do të lidhet drejtpërdrejt me renditjen që të dyja palët do të kenë në listat e kandidatëve për deputetë. Për herë të parë në 18 vjet, në krye të PD-së, Kryeministri Berisha do të merret drejtpërdrejt me fushatën elektorale në zonën e Tiranës dhe Durrësit. Një ndër kandidatët më favorit për degën e Tiranës, deputeti Besnik Mustafaj, e ka cilësuar KOP-in e 2005-ës si një provë dështimi të udhëheqjes së partisë në përzgjedhjen e tyre.

KOP-i

Anëtarët e KOP-it të 2005-ës nuk janë thjesht garniturë e Partisë Demokratike, por përfitues të qartë nga pushteti që kjo parti fitoi më 3 korrik 2005. "Ata janë provë e dështimit të udhëheqjes së partisë në përzgjedhjen e tyre", shprehet deputeti i Tiranës, Besnik Mustafaj. Ish-shefi i diplomacisë shqiptare nuk e quan të gabuar parimin e hyrjeve të reja në PD, por shprehet se "mësimi, që duhet të nxjerrim ne demokratët nga kjo eksperiencë e pasuksesshme është se çdonjëri, i ri apo i vjetër, për t‘u ngjitur në hierarkinë drejtuese të partisë apo të pushtetit të fituar nga partia, duhet t‘i nënshtrohet konkurrencës së fortë dhe të drejtë brenda partisë".

Sfumohet "një anëtar, një votë"

PD-ja ndryshon mendje. Megjithëse Kryesia e PD-së, disa muaj më parë, vendosi që zgjedhjet brenda partisë për kryetarët e degëve të bëhen sipas parimit "një anëtar, një votë", shtatë muaj pranë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ndryshon qëndrim. Deputeti Mustafaj shprehet se nuk i kupton arsyet pse u la në harresë ky parim, i cili do të ishte një hap i madh për gjallërimin e anëtarësisë demokrate, do të përbënte një legjitimim serioz të të zgjedhurve, duke shënuar demokratizimin e brendshëm të partisë dhe do të krijonte terrenin e përshtatshëm për konkurrencën brenda partisë. "Votimi ‘një anëtar, një votë‘ deri në këtë nivel, do të krijonte eksperiencën e nevojshme për të votuar shumë shpejt, sipas këtij parimi, edhe kryetarin e partisë", u shpreh Mustafaj. Sipas tij, aktualisht Partia Demokratike është e vetmja parti e qendrës së djathtë në Evropë, ku kryetari i partisë votohet me delegatë. "Unë jam i bindur se demokratët shqiptarë nuk janë më pak të pjekur politikisht kur është fjala për të zgjedhur kryetarin e tyre se sa demokratët e Letonisë apo të Kroacisë. Për më keq, u hodh në kosh ky premtim me rëndësi parimore dhe nuk iu dha asnjë shpjegim anëtarësisë së partisë. Kjo nuk është një sjellje serioze e kryesisë së partisë me anëtarësinë", veçoi Mustafaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›