E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Ndoka, më i suksesshëm se Godo

Partia Demokristiane vazhdon përplasjet dhe xhelozitë si pasojë e largimit të saj nga kabineti qeveritar. Në një deklaratë për shtyp, duke komentuar progres-raportin e KE-së, PDK-ja ka cilësuar se ish-ministri Ndoka ka qenë më i suksesshëm se ministrja aktuale, Anila Godo. "PDK-ja gjykon se ministrja e Shëndetësisë, zonja Godo, pasi të ketë lexuar me vëmendje Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, duhet të kërkojë falje për shpifjet dhe akuzat e bëra në adresë të qeverisjes së Ministrisë së Shëndetësisë nga PDK", thuhet në komunikatën për shtyp të demokristianëve. Partia Demokristiane shpreh vlerësimin e saj për objektivitetin e Raportit të Progresit, të hartuar nga Komisioni Evropian dhe të publikuar ditë më parë. Në këtë raport vlerësohen në veçanti reformat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës që qeverisej nga demokristianët. Në raport konkretisht thuhet se është bërë progres në fushën e politikave të shëndetit publik. Raporti vlerëson Strategjinë Kombëtare të Shërbimit Shëndetësor 2007-2013, si një dokument i rëndësishëm që përcakton prioritetet e reformave në këtë shërbim.

Në raport thuhet se me aprovimin e legjislacionit për transfuzionin e gjakut, Shqipëria ka përafruar kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu vlerësohen përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të implementuar ligjin antiduhan si dhe përpjekjet për hartimin e ligjit të kujdesit shëndetësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›