E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli "thumbon" Topin dhe Ramën

Progres-raporti i KE-së për Shqipërinë është bërë shkak që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli të thumbojë institucionet si Presidenca dhe Prokuroria e Përgjithshme për performancën e reformave që kërkohen nga ndërkombëtarët. Kryeparlamentarja e ka cilësuar raportin e progresit si program të punës së Parlamentit dhe si një axhendë kombëtare ku do të kërkojë përgjegjësinë e të gjitha institucioneve të larta në vend. Reforma në gjyqësor është thelbi i kërkesës së Kryeparlamentares Topalli, e cila i drejtohet Presidentit Bamir Topi dhe Kryeprokurores Ina Rama që të marrin përsipër përgjegjësinë e standardeve të kërkuara nga Komisioni Evropian. "Ftoj të gjitha institucionet që të lexojnë me të njëjtin seriozitet këtë raport, që ky të jetë kalendar i punës, jo vetëm për qeverinë dhe Parlamentin, por edhe për vetë këto institucione", u shpreh kreu i Kuvendit. Sipas saj, kjo do të thotë që çdo titullar i institucioneve që raporton përpara Kuvendit, duhet të marrë përgjegjësinë për të plotësuar kërkesat dhe standardet e kësaj kontrate të madhe kombëtare. Një ditë më parë, Kryeministri Berisha pranoi hapur se në raport është nënvijëzuar se korrupsioni është i përhapur në drejtësi, shëndetësi, polici dhe dogana. Ai kërkoi nga të gjithë ministrat e tij që të bëjnë një draft pune për të përmbushur me përpikëri kërkesat e ndërkombëtarëve. Çështja e pronave, premtimi për zgjedhjet e lira brenda standardeve me karta identiteti dhe reforma në gjyqësor do të jetë platforma që do të ndjekë Partia Demokratike gjatë fushatës së saj elektorale.

Raporti

Duke iu referuar deklaratës së Kryeparlamentares në komentimin e raportit, për kriteret politike, demokracia dhe shteti ligjor, kriteret ekonomike, si dhe në kapitullin standardet evropiane fjala "progres" ka pasur intensitetin më të lartë. "Kuvendi, vetëm vitin e kaluar, ka miratuar 314 ligje, vendime e akte normative, 13 rezoluta, 31 interpelanca, 14 raportime në 91 seanca plenare, ose 360 orë debat vetëm në seanca plenare", u shpreh Topalli.

Sipas nënkryetares së PD-së, sfida kryesore jo vetëm e Parlamentit por edhe e partive politike është Kodi Elektoral, i cili pritet të mbyllet së shpejti. Numri një i Parlamentit premtoi se në muajt e ardhshëm, reforma në drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve dhe zyrtarëve do të jenë fokusi real i punës dhe i axhendës së Kuvendit. "Javët e fundit janë bërë konsultime për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, titullarëve shtetërorë dhe deputetëve. Ftoj edhe institucionet e tjera të shohin me seriozitet këtë çështje të rëndësishme, të cituar edhe në raportin e progresit", u shpreh Topalli. Ajo shtoi se "mirëkuptojmë raportin për domosdoshmërinë e rritjes së ekspertizës në Parlament dhe për mungesën e progresit në rritjen e rolit monitorues të Parlamentit". Kryetarja e Kuvendit shtoi se përmbushja e detyrimeve në kuadër të MSA është axhenda e punës së 140 deputetëve, duke e cilësuar raportin si program të punës për Kuvendin në muajt në vazhdim. "Kuvendi, duke konsoliduar rolin e tij në debatin politik, ka qenë vendimtar për kalimin e shumë ligjeve të reformave ekonomike që kanë bërë të mundur siç thuhet në raport që: ekonomia të njohë rritje të fuqishme; rrogat të bëhen më të larta; investimet e huaja direkte të arrijnë 6% të GDP (PPB) dhe borxhi i jashtëm të zbresë; kushtet e tregut të punës të përmirësohen; privatizimet të jenë të suksesshme dhe informaliteti i ulët", tha Topalli.

Kryeparlamentarja ka falënderuar deputetët e të gjitha krahëve politikë, që kanë bërë të mundur ndryshimin e legjislacionit për të rritur luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet e ligjeve që lidhen me pronën private.

Kuvendi në rresht për të numëruar fjalën progres

"Topalli" dhe "Progresi"

Një ditë pasi shefi i qeverisë, Sali Berisha, mblodhi në Kryeministri të gjithë ministrat për t‘i informuar për progres- raportin, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe stafi i saj duket se e kanë lexuar më qartë nga të gjithë draftin prej 56 faqesh që flet për progresin dhe disprogresin e Shqipërisë nga tetori 2007 deri në tetorin 2008. Fundjava për stafin e kryeparlamentares duket se nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi mes rreshtave të 56 faqeve të raportit të KE-së duhet të numëronin se sa herë ishte përsëritur fjala progres. Dhe finalja e punës së stafit të Kryesisë së Kuvendit ka qenë e suksesshme, pasi në komunikimin për shtyp përballë medias, Kryeparlamentarja është shprehur se "në këtë raport të progresit, i cili është dhe shumë profesional, në secilën prej 56 faqeve të tij, fjala ‘progres‘ përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5 ose 6 herë". Kjo tregon se Kuvendi e ka lexuar më qartë se Kryeministria apo Presidenca progres-raportin e KE-së.

Duke iu referuar fjalës së Topallit, fjala progres zë një intensitet të lartë në raportin e KE-së. Por i vetmi detaj që të bën të mendosh se diçka nuk shkon në këtë shifër është fakti që vet raporti mban emrin "progres-raport". Nuk dihet qartë nëse gjithsej janë 100 progrese që ka bërë Shqipëria brenda një viti, apo Kryetarja e Kuvendit ka nënvijëzuar çdo fjalë të shkruar "progres".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›