E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS ngre dyshime për amendimet në ligjin për KLD

Nga Bledar Lumani

Misioni i asistencës i Bashkimit Evropian për sistemin gjyqësor, EURALIUS, në raportin e tij të fundit për gjashtëmujorin e punës së tij ngre disa shqetësime në lidhje me reformën në drejtësi.

Sipas këtij misioni, qeveria nuk ka një vizion të përgjithshëm për reformën, ndaj dhe përpjekjet ligjore janë të fragmentarizuara.

EURALIUS thekson se i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë, ashtu siç dhe thuhet në progres-raportin e BE që të formulojë një strategji për reformën në drejtësi, në mënyrë dhe që monitorimi i ecurisë së Shqipërisë të jetë më i lehtë.

Më pas raporti i EURALIUS hedh akuza dhe në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë dhe ngre shqetësim për disa prej ligjeve që kanë dalë nga zyrat e saj.

Ligji për gjykatat administrative nuk është konsultuar, thuhet në raportin e EURALIUS. Por akuzat më të forta ky mision i ka rezervuar për ligjin për administratën e gjyqësorit duke theksuar se autoriteti që po i jepet kancelarit është shqetësues.

Një alarm i fortë vjen për ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke u ngritur dyshime për të.

EURALIUS ka kërkuar që të sqarohet dhe çështja e dy inspektorateve të kontrollit, kur dihet që edhe Ministria e Drejtësisë dhe KLD kanë të tilla që kanë funksione të njëjta. EURALIUS ka kërkuar që të ketë një përcaktim të qartë ligjor për to.

Sipas misionit të BE, bashkëpunimi mes institucioneve për reformën në drejtësi është tepër i dobët.

Në përfundim, EURALIUS thekson se shpesh reforma në drejtësi këmbehet nga politika për të tjera çështje, çka duket se e bën atë një çështje të dorës së dytë.

Ligjet për drejtësinë bëhen pa u konsultuar me palët

Është në përgjithësi pozitive që dy draftet për drejtësinë administrative, që do ndihmojnë në ngritjen e gjykatave administrative në Shqipëri dhe administratën gjyqësore, janë miratuar nga qeveria dhe janë dërguar në parlament. Megjithatë, është për t’u theksuar me shqetësim se për të dy draftet procesi i konsultimit të Ministrisë së Drejtësisë me të tjera palë të interesuara nuk është bërë siç duhej. Të dyja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shoqata e Gjyqtarëve, janë konsultuar në një fazë shumë të vonë të procesit të draftimit dhe me një njoftim shumë të shkurtër, kur ishte e pamundur që të bëheshin ndryshime domethënëse. Në respekt të kësaj na duhet të theksojmë rëndësinë e faktit se institucionet relevante duhet të konsultohen sa më herët të jetë e mundur për procesin e përgatitjes së ligjit, në mënyrë që produkti të jetë efektiv.

Ligji për administratën e gjyqësorit, rrezik për pavarësinë e tij

Ministria e Drejtësisë nuk ka ngritur një grup pune për projekt-draftin për administratën gjyqësore, por ne mundëm të bëjmë komentet për draftin së bashku me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve, pasi drafti ishte miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka draftuar një rregullore për stafin e administratës gjyqësore dhe një kod etike. Të dy draftet janë bërë pa u marrë parasysh draft-ligji i ri për administratën gjyqësore.

Nga ana tjetër, opinioni ynë për draft-ligjin e administratës gjyqësore është më pak pozitiv. Ai ngre probleme thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit, që kur kancelarëve të gjykatave iu janë dhënë fuqi për të ndërhyrë në kompetencat e kryetarëve të gjykatave; për më tepër që dhënia e statusit të shërbimit civil për stafin e administratës që gjyqësorit është e mjegullt dhe e paqartë.

Drafti ndodhet në parlament për disa muaj duke bërë që të shtohen dyshimet se ai mund të kalojë përpara zgjedhjeve. Përveç kësaj, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka sfiduar kushtetutshmërinë e disa neneve të ligjit. Nuk dihet, nëse parlamenti do të procedojë përpara se Gjykata Kushtetuese të marrë vendim.

Frikë për amendimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë

Ne shprehim shqetësim në lidhje me zhvillimet që implikojnë amendimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ka patur diskutime pozitive në Ministrinë e Drejtësisë në shtator, por që atëherë grupi i punës nuk është takuar më. Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë më shpjegime për këtë.

Qeveria nuk ka asnjë strategji për drejtësinë

Është e paqartë, pse qeveria ka vendosur të mos draftojë ndonjë strategji për sektorin e drejtësisë. Progres-raporti i BE dhe EURALIUS kanë inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme qeverinë që të dalë me një strategji të qartë në fushën e drejtësisë, në mënyrë që Shqipëria të monitorohet qartë për progresin që bën në këtë fushë.

As Ministria e Drejtësisë dhe as qeveria nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim, pse nuk kanë zhvilluar një strategji.

E pazgjidhur ende çështja e dy inspektorateve të kontrollit

Çështja e të dy inspektorateve (inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD), ngelet e pazgjidhur. Të dy janë akoma në detyrë për të njëjtat çështje, dhe normalisht nuk është e pazakonshme që të dy inspektoratet të hetojnë të njëjtën çështje.

Ka një mungesë të dukshme bashkëpunimi mes dy inspektorateve. Ndryshimet legjislative janë të nevojshme për të zgjidhur problemin.

Dialogu ndërinstitucional vazhdon të jetë i dobët

Bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqësorit është problematik. Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve po luajnë një rol aktiv në përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit nga influenca politike.

Konsensusi politik për reformën në drejtësi është shpesh pazar

Partitë politikë nuk ofrojnë një konsensus të qëndrueshëm për reformën në drejtësi. Iniciativat madhore për një rishikim të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë janë sporadike. Pakti i Përbashkët për Reformën në Drejtësi, i miratuar në mënyrë informale nga partitë politikë, nuk është pasuar nga ndonjë aksion konkret.

Konsensusi politik për çështjen e drejtësisë është shpesh një marrëveshje për çështje të tjera politike.

Qasja ndaj reformës në drejtësi është e fragmentarizuar

Është ekstremisht e vështirë që të ketë një paketë të harmonizuar ligjesh organike në sistemin e drejtësisë, për shkak se nuk ka një strategji apo ndonjë politikë të planifikuar nga Ministria e Drejtësisë. Qasja ndaj reformës në drejtësi është shumë e fragmentuar pa një vizion të përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›