E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Vendi kandidat, në 2009 nisin bisedimet me BE-në

Z. Aleksandër Biberaj, zv.president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe raporter i KE-së për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi totalitar i Stalinit në Ukrainë, si dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik, në një intervistë për gazetën ukrainase “ДЕНь”, ai shpjegon se përse Shqipëria dëshiron t’i bashkohet NATO-s e BE-së dhe përse pavarësia e Kosovës nuk mund të përdoret në asnjë rast si precedent dhe as si justifikim nga Rusia për njohjen e Osetisë së Jugut dhe Abkazisë. Biberaj vizitoi Ukrainën për herë të tretë në funksion të misionit të tij. Gjatë kësaj vizite, z. Biberaj mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar në përkujtim të 75-vjetorit të “Holodomorit” (vdekjeve masive nga uria) në Ukrainë.

Z. Biberaj, çfarë dinit juve rreth Holodomorit përpara se të zgjidheshit si raporter i kësaj çështjeje të rëndësishme?

Realisht shumë pak informacion, për të mos thënë aspak, ka pasur rreth Holodomorit apo krimeve të regjimit stalinist, përpara viteve ‘90, kohë kur edhe u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik dhe kjo mungesë informacioni ishte pasojë e izolimit total të vendeve ish-komuniste. Lidhur me urinë masive, librat shkollorë të historisë nuk përmbanin asnjë informacion. Fillimisht jam njohur me çështjen e Holodomorit gjatë viteve të fundit në Këshillin e Evropës, kur kjo çështje është ngritur nga delegacioni i Ukrainës. Që nga ai moment, isha shumë i interesuar që të njihem me tërë historinë e Holodomorit dhe të urisë masive, dhe kërkesa ime që të zgjidhem raporter i kësaj çështjeje u aprovua nga Komiteti Politik i KE-së në qershor 2008. Sipas rregullave procedurale të KE-së, duhet që raporti të paraqitet për debat dhe miratim në Komitetin Politik të KE-së dhe pastaj në Asamblenë Parlamentare e KE-së para sesionit të Asamblesë së qershorit 2010. Janë planifikuar gjithashtu misione fakt-mbledhëse në Rusi, Ukrainë, Kazakistan dhe mbase edhe në ish-republika të tjera të Bashkimit Sovjetik, të cilat mund të kenë vuajtur nga uria masive. Raporti do të jetë i përbërë nga dy pjesë: pjesa e parë do t’i dedikohet Holodomorit dhe pjesa e dytë do t’i dedikohet urisë masive në republikat e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

Cili është opinioni juaj lidhur me faktin që Rusia është kundër njohjes së Holodomorit, ndërsa vendet e tjera e përkrahin këtë çështje duke e konsideruar atë si një genocid ndaj popullit të Ukrainës? Çfarë mendoni rreth opinionit që politika nuk duhet të merret me këtë çështje?

Unë gjykoj që është detyrimi ynë si politikanë që t’u krijojmë mundësi historianëve që të rishkruajnë historinë ashtu siç ka ndodhur, pasi historia botërore ka treguar shpeshherë se ka qenë pikërisht politika që ka penguar historianët që të shkruajnë historinë e vërtetë. Hrushovi ishte edhe politikani i parë që në vitin 1956 denoncoi publikisht krimet staliniste, por fatkeqësisht deri në vitet ‘90 nuk ekzistonte asnjë mundësi që të mësohej rreth Holodomorit të viteve 1932-‘33. Tani, pas 75 vitesh, është e lehtë për çdo politikan që të mësojë dhe të kuptojë në mënyrë tepër të qartë se çfarë ka ndodhur gjatë asaj kohe, në mënyrë që të mos ketë më asnjë dyshim rreth krimeve të regjimeve komuniste. Është më se e sigurt që regjimi stalinist ishte një regjim kriminal, i cili shkaktoi tragjedi të shumta jo vetëm këtu në Ukrainë, por edhe në të gjitha ish-Republikat e Bashkimit Sovjetik. Kështu që është detyrë e politikanëve në mbarë botën që të dënojnë krimet e kryera nga regjimet komuniste, me qëllim që ato të mos përsëriten më.

Çfarë mendoni rreth pozicionit të Rusisë dhe në veçanti rreth letrës së Presidentit rus, Dimitri Medvedev, dërguar atij të Ukrainës në të cilën flet rreth “të të ashtuquajturit Holodomor”?

Akoma nuk jam njohur me përmbajtjen e letrës së Presidentit Medvedev dërguar presidentit Yushenko, por gjykoj që politikanët rusë duhet që të dënojnë pa asnjë hezitim krimet e regjimit stalinist të kryera këtu në Ukrainë, në Rusi dhe kudo në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik.

A prisni juve që Putin, Medvedev dhe Duma Ruse gjithashtu të dënojnë hapur regjimin komunist stalinist?

Sigurisht që ata duhet ta kryejnë një gjë të tillë. Pas viteve ‘90 janë krijuar të gjitha mundësitë për politikanët rusë që të dënojnë krimet e kryera nga regjimi stalinist. Sipas mendimit tim, ky është obligim i tyre ndaj popullit rus, ndaj popujve që kanë jetuar tmerrin e regjimit stalinist në ish-Bashkimin Sovjetik si dhe ndaj historisë.

A ishte e vështirë që të përmbysej regjimi i Hoxhës në Shqipëri, regjim ky i njëjtë me regjimin stalinist?

Fatkeqësisht Shqipëria ka vuajtur regjimin komunist më të ashpër të vendeve të Evropës Juglindore dhe kjo vazhdoi edhe pas vdekjes së Stalinit. Po të shohim historinë e vendeve të Evropës Juglindore, do të kuptohet lehtë që këto regjime u zbutën disi pas vdekjes së Stalinit, ndërsa regjimi komunist në Shqipëri vazhdoi po i njëjtë dhe ndoshta më i ashpër. Regjimi i Hoxhës u përmbys në dhjetor të vitit ‘90, atëherë kur kishte filluar edhe rënia zinxhir e komunizmit në Evropë. Gjithsesi, të përjetuarit e regjimit komunist në Shqipëri më ndihmojnë shumë që të kuptoj se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Ukrainë.

A është dënuar regjimi diktatorial i Hoxhës në Shqipëri dhe se a mund të rikthehet përsëri ky regjim në vendin tuaj?

Historia ka vërtetuar se në rast se ne nuk dënojmë krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste, ato mund të përsëriten. Gjykoj se ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm rreth këtyre tragjedive kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim që ato të mos përsëriten më në vendet tona. Fatkeqësisht, në Shqipëri, megjithëse diktatura komuniste ka qenë në ekstremet e veta, nuk është bërë aq sa duhet për dënimin e krimeve të komunizmit dhe në përgjithësi për dekomunistifikimin e politikës dhe të shoqërisë. Do të citoja një politikan anglez, i cili ka thëne se: në rast se popujt i lejojnë udhëheqësit e tyre që të bëhen diktatorë, atëherë regjimet diktatoriale mund të shfaqen përsëri.

Vendi juaj ka marrë në prill të këtij viti ftesën për anëtarësim në NATO. Çfarë ka ndikuar që vendi juaj të përmbushë synimet e veta?

Shqipëria ka qenë anëtare e Traktatit të Varshavës deri në vitin 1968, kohë kur ajo e braktisi këtë traktat. Në vitin 1991 Shqipëria ishte vendi i parë nga ish-vendet komuniste që aplikoi për anëtarësim në NATO dhe shpresoj që vitin tjetër Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta të plota. Reformat e suksesshme janë dhe çelësi kryesor për anëtarësim në NATO. Sikurse, konsolidimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësia e institucioneve, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë elementë shumë të rëndësishme. Anëtarësimi në NATO është shumë i rëndësishëm për çdo vend të Evropës, pasi i shërben paqes dhe sigurisë.

Cila është arsyeja kryesore që më shumë se 90 për qind e shqiptarëve përkrahin anëtarësimin në NATO?

Orientimi historik pro-perëndimor i popullit shqiptar, si dhe dëshira për paqe, zhvillim, prosperitet dhe integrim përbëjnë edhe arsyen kryesore që mbi 90 për qind e shqiptarëve përkrahin anëtarësimin në NATO.

Pas luftës në Kaukazin Jugor, a është i shqetësuar vendi juaj rreth garancive të mbrojtjes në rajonet e NATO-s? Pas kësaj lufte, vendet e Baltikut i kërkuan NATO-s planet për mbrojtjen e tyre në rast të një situate të jashtëzakonshme.

Besoj se ka një garanci të plotë për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s. Parë në këtë këndvështrim, gjykoj se në rast se Ukrainës dhe Gjeorgjisë, do t’i hapej rruga për në NATO në Samitin e Bukureshtit prillin e këtij viti, në Kaukazin Jugor nuk do të kishte konflikt ushtarak. Kështu që zgjerimin e NATO-s do ta konsideroja si faktor kyç të sigurisë për çdo kandidat për anëtarësim në NATO.

Integrimi evropian është prioritet tjetër i Shqipërisë. Vendi juaj ka nënshkruar MSA-në me BE-në. Kur do të jetë Shqipëria e gatshme që të fillojë negociatat për anëtarësim në BE?

MSA është ratifikuar tashmë nga Parlamenti Evropian dhe nga 26 vende anëtare të BE-së, ku ka ngelur vetëm fqinji ynë jugor, Greqia, pa e ratifikuar. Shpresoj që vitin tjetër Shqipëria mund të fillojë fazën e negociatave me BE-në. Ka një vullnet pozitiv të vendeve të BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë, si dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, por vendimi varet gjithashtu edhe nga suksesi i reformave tona.

Kushtetuta e cilit vend shërbeu si një shembull i mirë për Shqipërinë në implementimin e reformave kushtetuese?

Vazhdimisht pas viteve ‘90 kemi pasur debate lidhur me përzgjedhjen e modelit të Kushtetutës, apo të amendimeve përkatëse që i janë bërë Kushtetutës. Kanë ekzistuar tre alternativa, hartimin e një modeli shqiptar, marrjen e një modeli ndërkombëtar ose përzierjen e dy modeleve të mësipërme. Gjykoj se alternativa e kombinimit të modelit ndërkombëtar që me specifikat e Shqipërisë, mbetet zgjidhja më e mirë. Në ndryshimet e fundit kushtetuese të aprovuara nga Parlamenti, u gjykua se një kombinim i modelit spanjoll me atë gjerman, do të ishte i përshtatshëm për Shqipërinë. Gjykoj që Kushtetuta duhet të jetë e vlefshme për dekada të tëra me qëllim që të mos bëhen ndryshime të shpeshta të saj. Natyrisht që parlamenti mund të aprovojë amendamente të ndryshme kushtetuese, sikurse mund të lindi edhe nevoja për referendum për çështje të ndryshme. Por është e kuptueshme që ka vështirësi në votimin e disa çështjeve teknike me referendum, pasi votuesit mundet që thjesht të votojnë sipas prirjeve te tyre politike. Rezultati negativ i referendumit irlandez për Traktatin e Lisbonës është një shembull i qartë dështimi, pasi votuesit jo gjithmonë mund të jenë të informuar dhe të kuptojnë se për çfarë votojnë.

A do të bëjë Shqipëria ndonjë referendum për anëtarësimin në NATO apo do të kalojë nëpërmjet Parlamentit?

Shqipëria nuk ka nevojë që të bëjë referendum për këtë çështje, sepse të dhënat tona tregojnë që më shumë se 90 për qind e popullsisë përkrah anëtarësimin në NATO. Partitë politike gjithashtu janë në një unanimitet të plotë për anëtarësimin në NATO.

Vendi juaj është fqinj me Kosovën. Cili është qëndrimi juaj ndaj përdorimit të Kosovës nga ana e Rusisë, si një precedent për aneksimin e rajoneve të Gjeorgjisë, përkatësisht Abkhazisë dhe Osetisë Jugore?

Jam i bindur që rasti i Kosovës është unik dhe në asnjë rast apo rrethanë nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si një precedent. Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Serbisë. Fatkeqësisht në vitin 1913 Fuqitë e Mëdha vendosën shkëputjen e Kosovës nga Shqipëria dhe ia bashkëngjitën atë artificialisht Serbisë. Më shumë se 90 për qind e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë, ndaj të cilëve serbët historikisht kanë ushtruar genocid dhe spastrim etnik, i fundit në vitin 1999. Shumë krime janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës. Siç mund t’ju kujtohet, në vitin 1999 NATO ndërhyri në Kosovë, sepse regjimi i Sllobodan Miloseviçit po kryente spastrim etnik ndaj shqiptarëve atje. Ndërhyrja në Kosovë ishte ndërkombëtare dhe u drejtua nga NATO. Fatkeqësisht Rusia është përpjekur që ta përdorë rastin e Kosovës si justifikim dhe pretekst për aneksimin e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Ndërkohë, që nuk ka asnjë ngjashmëri ndërmjet rastit të Kosovës dhe rastit të Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Edhe “të ashtuquajturat argumente” nga ana e Rusisë lidhur me rastin e Kosovës dështuan, pasi Moska njohu Osetinë Jugore dhe Abkhazinë. Rusia dhe Serbia duhet të njohin Kosovën, pasi ky është realiteti i ri i krijuar në Evropë pas vitit 1990. E dimë fare mirë se pas rënies se regjimeve komuniste në Evropë, ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia u shpërbënë plotësisht. Duke rikujtuar historinë, dihet fare mirë se krijimi i ish-Bashkimit Sovjetik dhe i ish-Jugosllavisë u bënë me instrumente diktatoriale dhe jo sipas vullnetit të popujve. Këto ishin bashkime artificiale, të cilat nuk do të kishin jetëgjatësi. Pas viteve ‘90 ne kemi realitete të reja në Evropë, ku dhe janë krijuar shumë shtete të pavarura nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë. Kosova përbënte edhe gurin e fundit të shpërbërjes se ish-Jugosllavisë. Kështu që tani kemi një realitet të ri në Ballkan, ku vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Kosovën dhe Malin e Zi, mbeten të orientuara drejt NATO-s dhe BE-së.

A do të bashkohet Kosova me Shqipërinë?

Aspiratat e Shqipërisë dhe Kosovës janë anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo është dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Cili është mendimi juaj për marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona?

Gjykoj që vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira në nivel politik. Gjithashtu, kemi marrëdhënie të mira ekonomike, gjë që duket edhe në shkëmbimet ekonomike, ku Ukraina mbetet një ndër importuesit e rëndësishëm të mallrave në Shqipëri. Ekzistojnë mundësi dhe vullnete si në Tiranë, ashtu edhe këtu në Kiev, për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe për rritjen e volumit të shkëmbimeve të ndërsjella tregtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›