Ngec kufizimi i imuniteteve, Bufi optimist: Do të kalojë
Iniciativa për kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve shtetërorë ka ngecur në vend. Ndonëse PD dhe PS arritën në parim një marrëveshje pak javë më parë, sipas së cilës, deputetëve do t’u kufizohej imuniteti dhe kjo do të arrihej me ndryshimin e Kushtetutës, në horizont nuk po lëviz gjë. Dy iniciatorët, Ilir Rusmali nga PD dhe Ylli Bufi nga PS, të cilët morën edhe miratimin nga konstitucionalistët më të mirë për këtë çështje, ende nuk kanë arritur të hartojnë amendamentin kushtetues. Por Ylli Bufi mendon ndryshe dhe jep garanci se imuniteti, të paktën i deputetëve, do të kufizohet. I kontaktuar nga gazeta, Bufi tha se puna ka ngecur “për shkak të angazhimeve të palëve, si të zotit Rusmali”, ashtu edhe të tijin. I pyetur në rast se PS do të ketë një tërheqje nga kjo iniciativë, nisur nga deklarata e kreut të PS-së, Edi Rama, për tërheqjen nga reforma në drejtësi, Ylli Bufi shprehet se “këto çështje janë krejtësisht të ndryshme”. “Kufizimi i imuniteteve nuk ka të bëjë me reformën në drejtësi”, - tha Bufi, i cili shtoi se “amendamentet do të hartohen”. Nënkryetari i Kuvendit, Bufi, nuk dha hollësi më tej, kjo për shkak se iniciativa nuk ka avancuar. Në qëndrimin e pak kohëve më parë, të cilin PS-ja e ruan ende, është rënë dakord mes partive të mëdha që të ndërhyhet në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit të deputetëve. PD ka kërkuar nga ana tjetër që kufizime imunitetesh të ketë për çdo zyrtar në piramidën shtetërore, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e ka cilësuar imunitetin në drejtësi si pengesë për drejtësinë. “Duhet që politika të veprojë si mesazh politik për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, pasi ata nuk mund t’ia kufizojnë vetvetes”, - ka thënë Rusmali. Por PS duket se nuk është dakord me këtë pikë. Ajo e sheh kufizimin e imunitetit si një mundësi që mund të ndërhyhet në pavarësinë e sistemit. Nga ana tjetër, Bufi është shprehur në media se për imunitetin e deputetëve është arritur një marrëveshje, e cila vendos një standard të ri, të cilin e aplikojnë mjaft vende në Perëndim, si Italia apo Franca. Kështu, Prokuroria do ta ketë rrugën e lirë në rast se ajo dyshon se ndonjë deputet është i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm. Kuvendi tashmë nuk do të mund të japë më leje për procedim penal, pasi Prokuroria do ta ketë këtë të drejtë ligjore pa kërkuar autorizim nga Kuvendi. Sipas amendimit kushtetues, Prokuroria mund të ndjekë penalisht një deputet, por nuk mund ta arrestojë apo të shkelë të drejtat e tij, pasi për këtë do të duhet autorizimi i Kuvendit. Palët, PD dhe PS, ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje në lidhje me imunitetet në drejtësi.