Gerti Bogdani: Rama përçau shqiptarët me festat kombëtare
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, në një konferencë për shtyp, akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe kreun e PS-së, Edi Rama, se la qëllimisht në hije festën e Pavarësisë Kombëtare, 28 nëntorin. Bogdani tha se “Edi Rama në një akt përçarës kombëtar festoi ditën e çlirimit të vendit jo më 28 nëntor, siç e ka faktuar historia, por më 29 nëntor siç e caktoi lideri i Partisë Komuniste Jugosllave, Dushan Mugosha”. Gjatë deklaratës për shtyp, zëdhënësi i PD-së theksoi se “Partia Demokratike ka respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe për Luftën Nacional-Çlirimtare dhe të rënët e kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, për liri dhe dinjitet”. Ai shtoi se PD-ja “vendosi statusin e veteranit dhe jashtë çdo politizimi”. Bogdani u shpreh se Rama po vepron në gjurmët e diktatorit Enver Hoxha, që sipas tij, la qëllimisht në hije festën kombëtare të flamurit. Ai shtoi se iniciativa për mocion mosbesimi në Këshillin Bashkiak e këshilltarëve të PD-së do të shkojë deri në fund. “Njësoj si i ati i tij shpirtëror kishte lënë për gjysmë shekulli në hije festën e pavarësisë, njësoj bëri edhe Edi Rama me festën e flamurit të të gjithë shqiptarëve. Duke dënuar këtë qëndrim, Partia Demokratike mbështet plotësisht vendimin e këshilltarëve të saj në Këshillin Bashkiak, për mocion mosbesimi ndaj atij që dekoroi në Tiranë, Goran Bregoviç, të njohur për urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve të Kosovës”, - deklaroi Bogdani. Në këtë deklaratë, zëdhënësi i selisë blu tha më tej se Rama po mbron falsifikimin e historisë që është bërë nga komunizmi. Për Bogdanin, “Rama është trashëgimtar i falsifikimit të historisë kombëtare”. “Por, Partia Demokratike konsideron se Enver Hoxha dhe klika e tij, ndër të cilët edhe njerëz të afërt të Edi Ramës, vendosën në Shqipëri pas luftës regjimin më barbar të kohërave, për çka ai u vlerësua edhe si Hitleri i Evropës së pasluftës. E vërteta historike është se Partinë Komuniste Shqiptare e themeloi dhe e udhëhoqi Partia Komuniste Jugosllave me Dushan Mugoshën dhe Mugoshët e tjerë. Janë po ata, të cilët për të goditur ndjenjat kombëtare zhvendosen ditën e çlirimit të Shqipërisë nga dita e pavarësisë, në ditën e çlirimit të Jugosllavisë. Kështu që duke festuar 29 nëntorin, Edi Rama dëshmohet trashëgimtar i falsifikimit të madh të historisë”, - përfundoi deklaratën zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani.
Presidenti Topi viziton Panairin Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje pasdite Panairin Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” 2008, të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku janë ekspozuar shërbimet e shumë bizneseve shqiptare dhe nga rajoni. Gjatë kësaj vizite, Topi tha se biznesi shqiptar ka bërë hapa para në këto vite tranzicioni, si dhe theksoi se bashkëpunimi ekonomik me rajonin është i domosdoshëm për të gjitha vendet. “Shqipëria është një vend i hapur. Këtë e dëshmon edhe numri i firmave që marrin pjesë në Panair, që vit pas viti shtohet, rritet jo thjesht me përfaqësues të Shqipërisë, apo të vendeve fqinjë, por edhe të vendeve, të cilat mund të jenë edhe gjeografikisht larg Shqipërisë. Kjo tregon që konkurrenca globale shikohet edhe në këtë panair. Unë ndihem i gëzuar që në këtë Panair shikoj shumë njerëz”, - tha Topi. Presidenti më pas zhvilloi një takim me një grup sipërmarrësish, midis të cilëve ishin edhe përfaqësues nga Kosova. Kreu i shtetit vizitoi stendat dhe pavijonet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja.