Biberaj: Zëvendësimi, m’u bë prapaskenë
Deputeti i Partisë Demoktratike, Aleksandër Biberaj, reagoi dje gjatë një interviste për mediat vizive, duke deklaruar se zëvendësimi i tij në Këshillin e Evropës ishte një prapaskenë e paramenduar. “Mënyra se si u realizua ishte një mënyrë shumë primitive. Kjo ka qenë një prapaskenë e organizuar e mirëmenduar. Ka qenë një goditje pas shpine dhe mendoj se ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta”, - tha Biberaj. Sipas tij, zëvendësimi që u bë i ka shkartuar Shqipërisë një kosto në imazhin e saj. “Efekti ka qenë tepër negativ lidhur me imazhin e Shqipërisë. Shqipëria nuk ka më tani mandatin e zv.presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mandatin e zv.presidentit të grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane, të zv.presidentit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale si dhe mandatin e raporterit të hetimit të krimeve të Stalinit në Ukrainë dhe në ish-republikat sovjetike”, - tha më tej Biberaj. I pyetur më tej në lidhje me karrierën e tij në politikë, Biberaj tha: “E ardhmja ime politike është në Partinë Demokratike”.