KQZ, partitë propozojnë anëtarët e mëparshëm
Për të garantuar një KQZ sa më profesionale për zgjedhjet e 28 qershorit, partitë politike propozojnë disa nga ish-anëtarët e mëparshëm. Republikanët kanë nxituar të parët për dy emrat e tyre, duke depozituar në Kuvend Klement Zgurin dhe Arben Braçen. Ndërkohë, PD-ja dhe PS-ja ende nuk kanë firmosur për emrat me të cilët do të përfaqësohen në Komisionin e ri Zgjedhor. Ndonëse jo zyrtarisht, nga PS-ja flitet për emrat e Dëshira Subashit dhe nga demokratët, ai i ish-kryetarit të KQZ-së, Çlirim Gjata. Megjithatë, ende nuk ka asgjë përfundimtare lidhur me propozimet e dy partive kryesore në vend. Subjektet politike që kanë të drejtën e përfaqësuesve në KQZ, konfirmojnë një pjesë të anëtarëve aktualë. Emrat e publikuar deri më tani, me rastin e rikonfigurimit të këtij institucioni tregojnë se disa prej anëtarëve që vazhdojnë ende të kryejnë detyrën, janë ripropozuar. Përvoja e proceseve zgjedhore duket se i ka bindur partitë politike që t’u besojnë sërish detyrën e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Republikanët janë të parët që kanë zyrtarizuar emrat dhe i kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa pritet që shumë shpejt, në ditët në vijim, të zbardhen dhe emrat e dy partive të mëdha, PD e PS. Klement Zguri dhe Arben Braçe janë dy emrat e propozuar nga Partia Republikane. Braçe është një propozim i ri, ndërsa Zguri e kryen këtë detyrë prej disa vitesh. E njëjta gjë ndodh edhe me socialistët. Edhe pse nuk ka asnjë vendim zyrtar dhe nuk është firmosur asgjë, emri më i përfolur është i anëtares aktuale, Dëshira Subashi. Socialistët rendisin dy arsye pse mendojnë të zgjedhin këtë anëtare: së pari, për shkak të përvojës së saj në këtë institucion të rëndësisë së veçantë dhe së dyti, sepse prania e Subashit përmbush një tjetër kriter, atë të përfaqësimit të grave në struktura të tilla. Sa për emrin tjetër, ai pritet të jetë jo i njohur dhe burimet nga PS-ja saktësojnë se këtë e di vetëm kryetari i partisë, Rama. Janë përfolur mjaft emra, si ai i Ylli Manjanit, Damian Gjiknurit apo Genc Gjonçajt, por të tre këta emra rrëzohen, pasi Kodi Zgjedhor parashikon që kandidatët për anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeje të paktën në 5 vitet e fundit nuk duhet të kenë qenë anëtarë të ndonjë partie politike. Ndërkohë që edhe Partia Demokratike nuk ka zbardhur asnjë emër konkret se kë do të propozojë, por burimet brenda grupit parlamentar bëjnë të ditur se nuk është firmosur ende për ndonjë emër. Emri më i përfolur për demokratët është ai i kryetarit aktual të KQZ-së, Çlirim Gjata. Megjithatë, nga të dyja partitë e mëdha konfirmohet se nuk ka nisur ende firmosja e emrave që do të propozojnë.
Sipas specialistëve juridikë, maksimumi i kohës që duhet për të konstituuar KQZ-në është data 10 shkurt, ndërsa partitë po nxitojnë që muaji janar të mbyllet me KQZ-në e re. Kjo duket se do të jetë një veprim sipas Kodit të ri Zgjedhor, pasi disa prej anëtarëve, sipas gjasave, do të vijojnë të kryejnë detyrën e tyre si më parë. Ajo çfarë ndryshon, është formula e ngritjes së KQZ-së, pasi ajo tani kalon nga 9 anëtarë në 7. Në bazë të kësaj formule, tre anëtarë janë djathtas, tre majtas dhe kryetari i takon mazhorancës.
LSI-ja heq dorë, asnjë propozim për KQZ-në
Lëvizja Socialiste për Integrim, partia që kontestoi ashpër Kodin Zgjedhor, e kryesisht pikat dhe nenet që lidhen me formulimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk do të bëjë asnjë propozim për të pasur anëtar në këtë institucion. Ligji parashikon që partia e dytë ose e tretë brenda së majtës ka të drejtë të ketë një anëtar në KQZ, por me pëlqimin e partisë më të madhe, PS-së. Në bazë të marrëdhënieve mes dy partive, duket se LSI-ja është e bindur që edhe nëse propozon emra, ata nuk do të miratohen dhe anëtarin do ta fitojë partia e Gjinushit. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, konfirmoi dje se nga ana e kësaj partie nuk do të bëhet asnjë propozim, ndërsa e konsideroi procesin e konstituimit si formal, pasi sipas tij, gjërat janë vendosur qysh më parë. LSI-ja ka mbështetur formulën 6+1, por duke propozuar që PD e PS të kenë nga një anëtar dhe jo dy. Kjo u jep mundësi LSI-së e PDK-së që të përfaqësohen në KQZ.